Universitet

Rektori i KPT-së, Luan Karçanaj, 5 dekada i pandarë nga auditori

Shkruar nga Liberale

Rektori i KPT-së, Luan Karçanaj, 5 dekada i pandarë nga

Nga Luiza Pinderi

E nisi karrierën akademike në auditorët e Politeknikut dhe dëshiron ta mbyllë pranë Kolegjit Profesional të Tiranës. Një rrugëtim i gjatë dhe përmbushës në fushën e inxhinierisë dhe elektronikës, udhëhequr nga përkushtimi e disiplina.

Ka hyrë në vitin e dhjetë të drejtimit të Kolegjit Profesional të Tiranës, por flet për të me të njëjtin pasion si të ditës së parë. Në fjalët e tij lexohet mjaft qartë meraku e skrupuloziteti i një profesori të rrallë. Pothuajse sa vite jetë ka, aq edhe i ka kaluar mes auditorëve, universiteteve, profesorëve e studentëve, krahas punës së palodhur në institucione të tjera shkencore.
Fill pas studimeve në Universitetin Teknik të Dresden në Gjermani e më pas në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku u diplomua si inxhinier i rrymave të dobëta, profesor Luan Karçanit iu kërkua të qëndronte si pedagog pranë Fakultetit të Inxhinierisë, në degën e Elektronikës. Ishte viti 1965.

Përkushtimi dhe arritjet e tij të shkëlqyera ndër vite, nga Politeknikumi “7 Nëntori” te studimet e larta, u shpërblyen me një detyrë sa të vlerësuar aq edhe sfiduese. Kishte peshë të madhe, ashtu si lënda që do të jepte. “Teoria e Fushës ishte një lëndë tepër e komplikuar, matematikë e gjallë”, thotë profesori.
Ishte i pajisur me besimin e palëkundur se do ia dilte kësaj pune në krye me sukses. Por ama nuk e fsheh se, në fillimet e veta, kur mbaronte leksionin dhe rikujtonte gjithçka që kishte shpjeguar, e kaplonte mërzia. Disa gjëra i kishin rrëshqitur pa përmendur. Mbante shënim dhe i sillte në leksionin e radhës. “Për ato që shpjegoja dhe thoja, isha plotësisht i bindur”, thekson më tej, ndërsa në fytyrë i kalon nënqeshja nga një kujtim i largët i asaj kohe.

Rrëfen një episod në klasë, kur një student shumë i mirë në lëndën e Matematikës, tentoi ta vendosë në vështirësi. I kërkoi zgjidhjen e një formule empirike në një mënyrë tjetër nga ajo që kishte shpjeguar. Rruga që ndoqi profesori i ri, jo vetëm largoi dyshimin e studentit, por rriti imazhin në sytë e gjithë auditorit. Pavarësisht përkushtimit dhe njohurive, profesor Karçanaj thotë se duhen disa vite në auditor për të qenë tamam pedagog. “Një pedagogu të ri i duhen ndoshta 3 vite që ta zotërojë lëndën. Për këtë kam bindje absolute.”

Në vitin 1966-të do të punësohet si inxhinier i trajnuar për Fax dhe telefon, pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Do ta mbajë këtë pozicion deri në 1973-shin duke u përballur me shumë detyra të vështira, në një kohë që teknologjia ishte ende një fushë e panjohur. Do të bëhet pjesë e Institutit të Fizikës Bërthamore, për të qëndruar aty deri në 2007-ën. Gjatë këtyre viteve ka mbajtur poste të ndryshme, fillimisht si përgjegjës i sektorit të Elektronikës Bërthamore (1982- 1993), e më pas për 6 vite si përgjegjës i një departamenti tjetër, siç ishte ai i Teknologjive. Në vitin 1999-të do të marrë drejtimin e Departamentit të Radiokimisë dhe Elektronikës deri në largimin e tij nga Instituti.

Krahas punës, ka qenë gjithmonë vigjilent për zhvillimin e vazhdueshëm akademik. Është specializuar në shumë institucione shkencore jashtë vendit, në fushën e fototelegrafisë, elektronikës bërthamore, të instrumentimit bërthamor dhe të ndërfaqimit, të mikroelektronikës analoge dhe digjitale, të sistemeve me bazë mikroprocesori, të elementëve logjikë të programueshëm, të përpunimit online dhe në kohë reale të të dhënave, etj.

Eksperiencën dhe njohuritë e marra i ka reflektuar gjithmonë në auditorë. Rikthimi i tij në Universitetin e Politeknikut të Tiranës në 1974-ën, pas tetë viteve shkëputjeje, do të sjellë një kontribut të çmuar për shumë breza. Do të jetë pjesë e këtij institucioni për më shumë se tre dekada, si titullar i disa lëndëve në degën e Elektronikës së Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit.
Vijon të mbetet figurë e nderuar e këtij universiteti, që e ka ndjekur në gjithë rrugëtimin e tij. Edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se nuk jep më mësim, është anëtar e komisioneve për fitimin e titujve akademikë “Profesor”, “Profesor i asociuar” dhe gradës shkencore “Doktor”. Kjo, edhe për faktin se, ai i gëzon prej vitesh këto tituj dhe grada shkencore duke i fituar përkatësisht në vitet: Phd (1983), Docent (1987), Doktor (1993) dhe Profesor (1994).

Një CV e gjatë që përplotësohet me poste të mbajtura në disa institucione. Ka qenë anëtar i Komisionit të Elektronikës pranë Komitetit të Shkencës dhe Teknikës (1885- 1990); kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve Eektronistë (1990- 1997); anëtar i zgjedhur i Asamblesë së Akademisë së Shkencave (2004- 2007); anëtar i komisionit të vlerësimit të projekteve PKKZH pranë MASH për një periudhë 5-vjeçare.

Emri i tij është vulosur në botimin e 6 teksteve dhe shumë artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit. Me keqardhje tregon se shumë prej punimeve të tij gjatë viteve kanë mbetur në institucionet ku ka punuar, disa prej të cilëve edhe kanë humbur.
Një prej botimeve fatlume, me dedikim për nipërit e tij, e ruan në bibliotekën e tij të vogël në zyrën e Kolegjit Profesional të Tiranës. Duke gjykuar nga sasia e rafteve vëren se nuk janë qindra libra, por kur nis e shfleton vëren peshën që mbajnë. “Është një libër matematike i vërtetë”, thotë profesori duke treguar një tjetër libër të hollë e të zverdhur nga koha. Dëshiron që gjithçka që gjendet aty t’ia lërë Kolegjit.

Po aq i kujdesshëm është edhe me lëndët që jep, duke përgatitur vetë gjithë leteraturën për studentët, shoqëruar me libër ushtrimesh. I mban sëbashku mbi tryezën e rregullt e minimaliste të punës. Mund të kuptosh shumë për natyrën e profesorit nga zyra ku kalon një pjesë të ditës. Përveç tryezës dhe raftit të librave, ambienti plotësohet nga këndi me ngjyrë të errët i pritjes, tre piktura simetrike dhe portreti i Ismail Qemalit.

Kureshtjes nëse studentët ishin më të mirë në kohën e regjimit apo të demokracisë, profesori i përgjigjet se çdo kohë sjell studentë jashtëzakonisht të mirë. Por të rinjtë e sotëm kanë vetëm një ndryshim me ata të asaj kohe. “Janë studentë të mirë që kanë punuar vetë, pasi shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet nuk janë në nivelin e duhur. Demokracia kërkon kulturë, por këtu ka munguar.”

KPT, për profesionistët që i mungojnë vendit

E përqafoi pa asnjë hezitim propozimin për t’u bashkuar me Kolegjin Profesional të Tiranës. Prej vitit 2015-të prof. Karçanaj mban postin e rektorit. Thotë se në Shqipëri është krijuar një boshllëk për njerëz të profilizuar, më se të nevojshëm për ngritjen dhe vënien në punë të shumë industrive. Prandaj filozofia e mbrujtur nga kolegji është përgatitja e profesionistëve që i mungojnë vendit.
“Që në embrion, ne bashkëpunuam me industrinë dhe me biznese të ndryshme, sepse studentët tanë janë produkt për ta. Pas praktikave, ata kanë mundësi të punësohen”, sqaron profesori.

E pandarë ka qenë sfida për përditësimin e kurrikulave. Përveç diskutimit me specialistë të fushës, është dashur bashkëpunimi i bizneseve. Kërkesat dhe nevojat e tyre të përkthyera në dije akademike, aftësojnë dhe përgatisin më mirë studentët për tregun e punës.
Kolegji Profesional i Tiranës lindi si një institucion 2-vjeçar i arsimit të lartë jo universitar, i kornizës së V të kualifikimeve, ku përgatiten zbatues projektesh. Rektori thotë se janë profesionistë për të cilët, jo vetëm industria, por çdo familje ka nevojë. Në përputhje me kërkesat e tregut, gjatë viteve KPT ka zgjeruar ofertën akademike. Aktualisht ofron10 programe studimi në: Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Elektronikë; Database dhe Web Design; Teknologji e Instalimeve Elektrike; Administrim Zyre; Elektro – Mekanikë; Teknologji Automjetesh; Teknologji Ajrimi dhe Kondicionimi,;Gjeodezi; Teknologji Ndërtimi.

“Vendi ynë, si në çdo vend tjetër, ka nevojë për titullarë që kanë tituj dhe grada shkencore, diplomën bachelor apo master në fushat e inxhinierisë, por në një masë të caktuar. Ai ka më shumë nevojë për një numër të madh zbatues-projektesh, profesionistë me aftësi praktike, të cilët mbarojnë kolegjet profesionale dhe mbulojnë të gjitha fushat e ekonomisë”, thekson profesori.
Faktin, që tregu shqiptar ka një numër të vogël të këtyre profesionistëve, rektori i KPT-së e shpjegon me mungesën e vëmendjes institucionale te arsimi profesional.
“Mungon legjislacioni në Shqipëri. Nuk është përcaktuar ende statusi i këtyre profesionistëve, nëpërmjet akteve nënligjore, që reflektohet pastaj dhe në përgjegjesitë dhe pagën e tyre, pavarësisht se janë të kornizës së pestë të kualifikimeve.”

E gjithë kjo situatë, është bërë shkak i regjistrimeve relativisht të ulëta të studentëve. Pavarësisht gjendjes, Karçanaj sqaron se nuk i kanë ndalur përpjekjet për të ndryshuar situatën, duke krijuar kushte sa më të përshtatshme e duke e bërë sa më të plotë edukimin dhe aftësimin e të rinjve që zgjedhin këtë kolegj. “Duke qenë se vinë me mesatare të ulët, jemi përpjekur të përgatisim tekste me një aparat matematikor të thjeshtëzuar.”
Një shkollë profesionale, e cila synon aftësimin praktik, nuk mund të kuptohet pa laboratorët, të cilat ky kolegj i ofron për të gjitha programet dhe lëndët. Pas marrjes së njohurive teorike për gjithë proceset e punës, studentët zhvillojnë 6 javë praktikë në semestrin e dytë të vitit të dytë, duke prekur më nga afër gjithçka që do të bëjnë kur të punësohen.

Duke u ndalur te pjesa e stafit, profesori nënvizon se KPT-ja dallohet nga kombinimi i brezave. Kjo ndërthurje bën bashkë eksperienca të larmishme të akademikëve me shumë vite eksperiencë dhe të specialistëve që kanë direkt lidhje me biznesin dhe tregun e punës. Të gjithë kanë emërues të përbashkët pasionin dhe përkushtim për të dhënë më të mirën.
Pas pesë dekadave mësimdhënie, vlera të tilla mbeten më se të dukshme te profesori Luan Karçanaj. Do të mbeten të tilla deri ditën e fundit që do të jetë pjesë e auditorëve. Edhe pse pranon me të qeshur se nuk dëshiron t’iu largohet aq lehtë./Revista Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH