Tre janë sot renditjet më të referuara të universiteteve botërore: Renditja e kryer nga QS, ajo nga Times Higher Education dhe The Academic Ranking of World Universities (ARWU), e njohur si rankimi Shangai. Nëse iu hedhim një sy listave të tyre do të shohim se nuk nxjerrin të njëjtin rezultat. Edhe pse në to mund të gjenden dhjetë universitetet më të mira botërore, renditja e tyre ndryshon nga njëra listë te tjetra. Kjo nuk i bën më pak serioze dhe më pak të besueshme këto renditje, por shpjegohet mjaft thjesht me metodologjinë që përdor secili institucion. Pavarësisht kësaj dhe kritereve të vlerësimit, elementët thelbësorë janë të njëjtë. Një nga kriteret kryesore që përdoret për të realizuar çdo renditje është mësimdhënia dhe cilësia akademike, për të vijuar pastaj me kërkimet shkencore dhe studentët e pedagogët ndërkombëtarë.
Reputacioni akademik zë 40% të rezultatit të përgjithshëm në renditjet e QS-së, ndërsa për Times Higher Education, e cila përdor dyfishin e kritereve të vlerësimit, mësimdhënia zë 30% të rezultatit të përgjithshëm. Këto shifra tregojnë mjaft qartë vlerën, pozicionin dhe prestigjin që një akademik i shton universitetit.
Përtej përkushtimit, pasionit, thellimit në fushën që përfaqëson përmes kërkimeve, hulumtimeve të vazhdueshme, zhvillimi i një pedagogu është pakrahasimisht i lidhur me ndërkombëtarizimin. Një profesor, i cili ka një eksperiencë studimi në një universitet të huaj, është më i predispozuar të sjellë frymë të re, metodologji të re, mundësi dhe oportunitete për studentët, të zgjerojë bashkëpunimet në kërkimin shkencor për tema e problematika që nuk i përkasin më një vendi, por janë çështje globale.
Universiteti Europian i Tiranës, një nga institucionet e arsimit të lartë më të preferuar nga studentët shqiptarë, ka pjesë të stafit të tij një numër të madh akademikësh që kanë një eksperiencë studimore jashtë vendit. Sipas të dhënave, 1/3 e stafit akademik ka mbaruar një cikël studimi, bachelor, master apo doktoraturë, në një vend europain dhe më gjerë. Ata kanë studiuar në vende të tilla si: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Belgjika, Turqia, Italia etj.
Zv. Rektori për rekrutimin e studentëve ndërkombëtarë, prof. asoc. dr. Mateo Spaho, thotë se UET vetvetiu ka thithur këto parime e këtë frymë, që e kanë bërë atë pjesë të tregut ndërkombëtar.
“Ka një shumëllojshmëri praktikash, që janë praktikat më të mira në rang global për mësim nxënie dhe mësimdhënie, e pedagogët tanë janë profesionistë të fushave të tyre respektive. Kjo gjë ka sjellë vetvetiu frymën e ndërkombëtarizimit të universitetit edhe më përpara se UET të vendoste të bëhej një universitet ndërkombëtar për studentët e huaj”, thekson zv. rektori.
Sipas tij, ky element i bën pedagogët më konkurrues, më krijues e më të guximshëm, duke u ndjerë të barabartë përballë kolegëve që vijnë nga universitetet e tjera. Kjo edhe për faktin se ata bëhen pjesë e mjediseve universitare ku mënyra e komunikimit, e të nxënit dhe të mësuarit është ndërkombëtare, nuk është as shqiptare, as ballkanike e as europiane në vetvete. Duke u formuar me të njëjtën frymë, edhe studentët janë më të përgatitur për të qenë pjesë e një tregu pune ndërkombëtar.
Prof. Spaho sqaron se, edhe pse nuk është detyrim, është e këshillueshme që pedagogët të kenë një eksperiencë studimi në një universitet jo shqiptar, pasi rrit mundësinë e tyre për të pasur një karrierë të suksesshme dhe të larmishme.
“Njihen me të tjera praktika, të tjera gjuhë, të tjera mënyra të të bërit të biznesit, të të kuptuarit të ligjit, të të interpretuarit të arkitekturës apo mjekësisë. Kjo gjë e pasuron vendin e tij të punës dhe mjedisin akademik shqiptar. Sjell edhe një lloj aftësie për t’u qasur me njerëzit, për të krijuar raporte ndër personale”, nënvizon më tej.
Univeriteti Europian i Tiranës, një institucion pioner në shumë drejtime, vijon me shumë sukses procesin e ndërkombëtarizimit. Prej vitesh është pjesë e Erasmus+ dhe projekteve të tjera të Komunitetit Europian, që nxisin hulumtimet dhe kërkimet në sektorë të ndjeshëm, pjesë e agjendave politike e strategjike. Përtej shkëmbimeve akademike semestrale, UET ofron një cikël të plotë studimesh për studentë të huaj në 10 programe, të ofruara në gjuhën angleze. Ky proces transformues i vetë universitetit, me impakt të gjerë në arsimin e lartë shqiptar, nuk do të ishte i mundshëm pa kontributin e stafit akademik.