Nga Luiza Pinderi
“Që drita të shkëlqejë kaq fort, errësira duhet të jetë e pranishme."- Francis Bacon
Nuk do e tepronim nëse e quajmë “vajza anonime”. Kjo sepse i urren daljet në media, ekspozimin në rrjetet sociale dhe të qenit në qendër të vëmendjes. Nëse talenti i saj nuk do të ishte zbuluar rastësisht gjatë një ore mësimi nga pedagogu i Arteve në UET, Eris Tare, ndoshta nuk do të ishim njohur me punimet e veçanta që ajo krijon. Pavarësisht se e quajti një budallallëk atë që po vizatonte, insistimi i pedagogut bëri që ajo të tregonte gjithë krijimet e fshehura në një bllok, larg syrit të dëshmitarëve. “Është e jashtëzakonshme”, thotë Tare. “Ja do e shihni edhe vetë se çfarë pikturash bën”.
Në pamje të parë Sibora Mestani të jep përshtypjen e një vajze të thjeshtë, të zakonshme, serioze dhe të ndrojtur. Pasi biseda merr rrjedhë, përballesh me një vajzë të veçantë, të ndjeshme, inteligjente, me interesa krejt të ndryshme nga bashkëmoshatarët e saj. Dashuron filmat e librat triller, për faktin se e mbajnë të intriguar deri në fund të historisë. Por ka një histori të paqartë me pikturën. As sot, që vijon studimet në vit të tretë bachelor për Grafik Dizajn në Universitetin Europian të Tiranës, nuk e di ekzaktësisht se çfarë kërkon nga piktura dhe çfarë mund të arrijë me të.
Kur ishte fëmijë dëshironte të bëhej stiliste. Krijonte gjatë gjithë kohës modele në letër. Iu desh fare pak kohë që të plotësonte me stilime skicat e vajzave në bllokun e trashë që ia bënë dhuratë. Pastaj erdhi boshllëku.
“Nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nuk preka laps me dorë”, thotë Sibora. Kjo edhe për faktin se lënda e vizatimit në shkollë nuk i jepte hapësirë të krijonte gjërat që ajo dëshironte. Mësuesja i shtynte të imitonin vizatime të caktuara, që për të ishte gati e pamundur. “Nuk më pëlqen t’i bëj gjërat me detyrim. Nuk dua të vizatoj objektet në mënyrë strikte siç janë. Dua të bëj gjëra abstrakte.”
Ky ‘rebelizëm’ i brendshëm e bindi për shumë kohë se nuk është e mirë në pikturë, se nuk ka talent dhe nuk di të vizatojë. Pastaj erdhi izolimi nga pandemia e Covid-19 që Siborën e gjeti në vitin e dytë të gjimnazit. Për të mbushur kohën e gjatë të qëndrimit në shtëpi iu rikthye sërish pikturës duke vizatuar personazhet e filmave Disney. Vlerësimet pozitive të shoqes së ngushtë, pasi pa gjithë vizatimet e saj, e bëri të mendojë se kishte dorë, dhe se po, ajo mund të pikturonte.
Rastësisht në ZIA
Pikturat e Siborës janë abstrakte, plot vija, ngjyra, forma, detaje gati simetrike, që e bëjnë procesin e krijimit të duket i vështirë e i lodhshëm. Fillimisht e nisi duke imituar vizatime në Pinterest. “Më pëlqenin sepse me një punim rrija për orë të tëra dhe hiqja mendjen nga realiteti.”
Pavarësisht se ajo nuk i identifikon me një rrymë arti, duke ndenjur te abstraksioni që pikturat kanë, në fakt ato mjaft mirë mund të kategorizohen si pjesë e artit të frymëzuar nga Zentangle, i cili ka të bëjë me vizatimin e përsëritur të modeleve.
Zentangle është një formë e artit meditues. Ai u krijua nga Rick Roberts dhe Maria Thomas në 2003-shin si një mënyrë për të ndihmuar njerëzit të përqendrohen, të pushojnë dhe të gjejnë paqen e brendshme përmes vizatimit. Prandaj e quajnë ndryshe "joga për mendjen", pasi ka efekt qetësues dhe lehtësues tek njerëzit që e praktikojnë. Karakteristikë e këtij arti është se nuk përdoren ngjyrat dhe vizatimet bëhen në katrorë të vegjël.
Më vonë në këtë rrymë u zhvillua Zentangle Inspired Art (ZIA), i cili shtoi ngjyrat, formatet më të mëdha, duke qëndruar te e njëjta filozofi, përsëritja e modeleve. Në thelb, ZIA është Zentangle me liri krijuese për të eksploruar përtej rregullave dhe formave të saj origjinale.
“E nis me diçka, me një element, me një vijë, një katror dhe pastaj shton të tjerë. Elementët janë të njëjtë por ndryshon kombinimi dhe ngjyrat”, tregon Sibora.
I mjafton një element nga realiteti dhe pastaj e shndërron atë në një vepër arti. Frymëzimin për njërën nga pikturat e mori duke ndenjur në kafe ndërsa përballë kishte një lule, degën e së cilës e bëri objekt krijimi.
“Nuk mërzitem, e kam qetësi”, thotë Sibora. “Kur e shoh të përfunduar them se jam lodhur, por kur e kam vizatuar nuk e kam ndjerë aspak lodhjen.”
Stilim apo grafik dizajn, ku do të jetë e ardhmja?
iPod-i i Siborës është një galeri arti, ku janë të strukura të gjitha krijimet e saj ndër vite. Mes tyre ajo zbulon një koleksion të tërë stilimesh me veshje për femra. Spikasin ngjyrat, detajet e frymëzuara nga elementët e natyrës, gjethet apo lulet e ndryshme. Duken si veshje të dala nga përrallat më magjike.
“Të jesh stilist do të thotë të krijosh gjëra të reja”, shton Sibora. “Mua më pëlqen më shumë të shtoj detaje, ta plotësoj, të kombinoj.” Fakti që prej disa kohësh nuk i është përkushtuar stilimit e bën pak të paqartë se çfarë vendi do të zërë ai në të ardhmen.
Po kaq të paqartë e kishte në fakt edhe atë se çfarë bëhej në Grafik Dizajn, pavarësisht se dëshironte fort të vijonte në këtë program studimi. Mes Polis-it dhe UET-it zgjodhi këtë të dytin, duke vlerësuar së tepërmi lirinë që ekziston në këtë universitet për të thënë fjalën e për të shprehur kritikën.
Është bërë pjesë e ekspozitave në UET dhe ka marrë komente mjaft pozitive. Edhe familja është treguar mbështetëse në pasionet e saj për artin. Ndërsa mami vlerëson çdo krijim që ajo bën, i ati bëhet pak më racional, duke dashur të zbulojë se çfarë mesazhesh ajo kërkon të përcjellë në piktura.
Po pavarësisht kësaj, Sibora thotë se është syri kritik i vetes. Ka gjithmonë një gjë që s’i pëlqen. Shpeshherë kur detajet nuk i dalin si ajo dëshiron, nuk denjon që të grisë gjithë pikturën. Po kaq detajiste e përzgjedhëse është edhe në përditshmëri, në marrëdhëniet shoqërore. “Por ama, nëse i besoj dikujt nuk e lëshoj lehtë”, thekson Sibora.
E ndërsa po mbaron vitin e tretë të studimeve bachelor, dëshiron që hapi i radhës të jetë fillimi i një pune, duke besuar se një eksperiencë e tillë do ta bëjë më të qartë, më të fokusuar dhe më kreative në talentin e saj.