Pallati Mbretëror i Belgjikës tha të premten se Princesha Elisabeth, e cila është e para në radhën e fronit, po pret të zbulojë nëse ajo mund të kthehet në Harvard për vitin e saj të dytë, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi ndalimin e studentëve të huaj në universitet.
Administrata e udhëhequr nga Donald Trump të enjten revokoi mundësitë e Universitetit të Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë në betejën e saj të përshkallëzuar, duke thënë se mijëra studentë duhet të transferohen në shkolla të tjera ose të largohen nga vendi.
Sakaq, një gjykatë ka lëshuar një urdhër të përkohshëm kufizues që bllokon planin e administratës Trump për t’i hequr Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë të huaj.
Vendimi erdhi pasi Harvard ngriti një padi – përshkallëzimi më i fundit i një mosmarrëveshjeje midis Shtëpisë së Bardhë dhe një prej institucioneve më prestigjioze të Amerikës.
Universiteti tha se vendimi i administratës të enjten ishte një “shkelje flagrante” e ligjit dhe e të drejtave të lirisë së fjalës.
Administrata Trump thotë se Harvard nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin dhe për të ndryshuar praktikat e punësimit dhe pranimeve akuza që universiteti i ka mohuar fuqimisht.
Gjyqtarja e distriktit amerikan Allison Burroughs lëshoi një urdhër të përkohshëm kufizues në një vendim të shkurtër të lëshuar të premten.
Urdhri pezullon një veprim që Departamenti i Sigurisë Kombëtare ndërmori të enjten për të revokuar aksesin e Harvardit në Programin e Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit – një bazë të dhënash qeveritare që menaxhon studentët e huaj.
Në Harvard ka rreth 6,800 studentë ndërkombëtarë, të cilët përbëjnë më shumë se 27% të regjistrimeve të këtij viti.
“Me një të rënë të stilolapsit, qeveria është përpjekur të fshijë një të katërtën e trupit studentor të Harvardit, studentë ndërkombëtarë që kontribuojnë ndjeshëm në Universitet dhe misionin e tij”, argumentoi Harvard në padi.
“Ne e dënojmë këtë veprim të paligjshëm dhe të pajustifikuar”, tha Presidenti i Harvardit, Alan Garber, në një letër.