Sot, është një moment i veçantë, një mundësi për të nderuarnjë nga personalitetet mjaft të spikatura te kohës sonë – zotin Alfred Moisiu, ish-President i Republikës së Shqipërisë, Komandant i Përgjithshëm, gjeneral dhe diplomat.
I njohur e i vlerësuar si një ‘burrë-shtetas’ inspirues për lidershipin e tij të konsekuent dhe përkushtimin e palëkundur ndaj atdheut. Besoj se nëpërmjet titullit “Doctor Honoris Causa”, që i akordohet sot presidentit, ne njohim jo vetëm vlerat si personalitet, por vazhdojmë edhe si UET, të identifikohemi si institucion pararojë në afirmimin e personaliteteve me të shquara nga vendi dhe bota.
Në emër të një grupi profesorësh dhe me mbështetjen unanime të komunitetit akademik, i paraqitëm senatit propozimin për akordimin e titullit ‘Doctor Honori Causa’ gjeneral Mosiu. Për shkak të kohës dhe vendit më lejoni që të paraqes shkurtimisht një abstrakt të këtij rekomandimi.
Të nderuar pjesëmarrës,
Figura dhe personaliteti i Presidentit Moisiu është shfaqur si një model i përkushtimit të palodhur në shërbim të atdheut, që nga vitet e hershme të rinisë dhe që vazhdon të jetë i pranishëm përherë e pandërprerë deri në ditët tona. Si një lider dhe më tepër si ‘burrështetas’, një model mjaft i rrallë, por edhe kaq i munguar për kohën dhe për vendin tonë, z. Moisiu, duke ecur përballë shumë sfidave të kohës, ka dhënë kontribute tepër të çmuara në vitet më të vështira të tranzicionit, të cilat, për fat të keq, ende nuk kanë marrë fund.
Gjithmonë me një lidership vizionar, me një qëndrim të drejtë dhe përherë vetëm në interes të kombit, Gjeneral Moisiu u kthye në simbol të autoritetit shtetëror, unitetit, urtësisë dhe stabilitetit të vendit.
Me një angazhim që nis që në moshë të re dhe i dedikohet atdheut, ai u rreshtua në radhët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, një akt që do të shënjonte vazhdimësinë e përkushtimit të tij të përhershëm në shërbim të vendit. Është interesante të theksohet se në këtë datë, 9 maj, që simbolizon fitoren e popujve mbi fashizmin, Gjeneral Moisiu është një nga të paktët që është nderuar me dekoratën më të lartë si pjesëmarrës i forcave aleate, të cilët u angazhuan drejtpërdrejt në Luftën e Dytë Botërore
Me një karrierë të shkëlqyer, zoti Moisiu reflekton modelin e liderit, diplomatit, qytetarit dhe ushtarakut. Ai ka dhënë një kontribut të vyer në forcimin e institucioneve të shtetit dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në proceset e integrimit ndërkombëtar të Shqipërisë. Për vlerat e tij, si ‘burrështetas vizionar’, ai është dekoruar me medalje dhe tituj më të lartë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga shtete dhe organizata të ndryshme, përfshirë SHBA, Itali, Gjermani, NATO, etj. Ky përkushtim dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm kanë bërë që figura e tij të nderohet dhe vlerësohet edhe përtej vendit.
Me një 'background' të shkëlqyer akademik, ai ka përfunduar studimet me ekselencë në vend, si dhe në kolegje dhe akademi nga më prestigjiozet në botë. Më pas, ka dhënë kontribute të spikatura në doktrina, strategji dhe dokumente të tjera madhore. Presidenti Moisiu vazhdon të kontribuojë në mënyrë të vazhdueshme me analiza, shkrime dhe opinione që mbajnë vlera të mëdha dhe interes kombëtar.
Rekomandimi vazhdon edhe me mjaft konsiderata cilësuese, por për shkak të kohës vendit, dhe vëmendjes tek z. Mosiu, kujtojmë që Senati me dakordësi të plotë dhe entuziazëm, vendosi akordimin "Doctor Honoris Causa", për presidentin.
Gjeneral Mosiu,
që nga sot, Universiteti Europian i Tiranës ka nderin t'ju ketë pjesë të "UET Hall of Fame"-it, ose siç njihet ndryshe, ‘Panteoni i figurave më të shquara’, një galeri që nderon personalitetet më të shquara nga vendi dhe bota, të cilët kontribuojnë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin, si dhe shërbejnë si burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme.
Në mbyllje, më lejoni të urojmë për Presidentin Moisiu, një jetë të gjatë e dinamike, shëndet të plotë dhe vazhdimësi në angazhimin e tij, si dhe për frymëzimin që ai sjell në brezat e rinj me krenari kombëtare.
*Fjala gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës për ish-presidentin e Shqipërisë, z Alfred Moisiu.