Universitet

REKOMANDIMI i titullit “Doctor Honoris Causa”, prof. Ferit Duka: Moisiu, shtetari që forcoi unitetin kombëtar 

Shkruar nga Liberale

REKOMANDIMI i titullit “Doctor Honoris Causa”, prof. Ferit Duka:

Jam shumë i nderuar sot që jam një nga rekomanduesit për presidentin Moisiu, për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa”.  Më lejoni të lexoj rekomandimin:

Z. Alfred Moisiu është një nga personalitetet e shquara të historisë bashkëkohore të Shqipërisë. Sidomos roli dhe kontributi i tij në zhvillimet politike të periudhës postkomuniste, janë të një rëndësie të veçantë. Falë një pune të palodhur e plot përkushtim, falë këmbënguljes dhe vendosmërisë për të kapërcyer pengesat dhe vështirësitë, z. Moisiu shënoi sukses pas suksesi, duke u  bërë një nga specialistët më të zotë dhe më të aftë të ushtrisë shqiptare dhe duke u ngjitur deri në nivelet më të larta të hierarkisë ushtarake e shtetërore të vendit tonë.

Përvoja e gjatë e jetës dhe punës, integriteti i lartë moral e politik, atdhetarizmi, formimi qytetar, mençuria, qartësia, pjekuria e maturia në qëndrime dhe veprime, cilësi këto karakterizuese të personalitetit të Alfred Moisiut, gjetën një manifestim të shkëlqyer edhe gjatë viteve 2002-2007, periudhë kur ai ka mbajtur postin më të lartë shtetëror, atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Të ishe i pari i shtetit, në ato kohë të vështira, ishte një sfidë e madhe. Ballafaqimet e ashpra, tensioni dhe konflikti kishin lënduar rëndë paqen dhe stabilitetin politik të vendit dhe kishin lëkundur tej mase besimin e qytetarëve shqiptarë, për një jetë të qetë dhe të sigurt në atdheun e tyre.

Pikërisht në këto rrethana të ngarkuara, president Alfred Moisiu, e shfrytëzoi postin e lartë që i ishte besuar, jo vetëm për të forcuar institucionet shtetërore të vendit, por edhe për të nxitur frymën e moderacionit, pajtimit e konsensusit midis aktorëve politikë, për t’i larguar këta të fundit nga urrejtja dhe përçarja dhe për t’i akomoduar në hullinë e bashkimit e të bashkëveprimit, në dobi të interesave të larta të popullit dhe atdheut.

Vizioni dhe urtësia, besnikëria ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, ndjenja e lartë e përgjegjësisë për fatet e vendit dhe të shoqërisë, paanësia gjatë ushtrimit të detyrës, përkushtimi shembullor ndaj reformave, përparimit dhe modernizimit të Shqipërisë, përmirësimit të imazhit dhe pozitës së vendit të tij në arenën ndërkombëtare, e bën presidentin Moisiu një shtetar të nderuar e të respektuar, jo vetëm në sytë e qytetarëve shqiptarë, por edhe të homologëve të tij jashtë vendit.

Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian mbeten gjithnjë në fokus të veprimtarisë politike dhe shtetërore të z. Moisiu.

Në cilësinë e kryetarit të shtetit shqiptar, Alfred Moisiu punoi pa pushim për të forcuar unitetin kombëtar të shqiptarëve, lidhjet dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc e diasporë, duke mbetur gjithnjë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave politike dhe kulturore të bashkëkombësve të tij në këto hapësira.

Gjithçka u përmend më sipër, tregon qartë se zoti Moisiu investoi shumë për krijimin e një kulture të re politike në Shqipëri, për fuqizimin e lidhëzave bashkuese midis shqiptarëve, për paqen dhe harmoninë shoqërore, duke luftuar me vendosmëri kundër çdo prirjeje përçarëse në shoqëri.

Ky vlerësim i figurës së presidentit Moisiu dhe i kontributit të tij në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë, do të ishte i mangët nëse nuk përmendim edhe një dimension tjetër të rëndësishëm. Ai është një veprimtar i spikatur i shoqërisë civile. Z. Moisiu ka drejtuar me dinjitet dhe kompetencë Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, një nga organizatat jofitimprurëse më prestigjiozet në Shqipëri, e cila luajti një rol shumë domethënës në popullarizimin e NATO-s dhe të vlerave të saj në mjedisin shqiptar.

Merita të padiskutueshme para shoqërisë dhe kombit shqiptar, që i paraqita shkurtimisht më sipër, na shtynë t’i rekomandojmë Senatit Akademik të Universitetit Europian të Tiranës që t’i  akordojë z. Alfred Moisiu titullin “Doctor Honoris Causa”, duke shtuar se një gjë e tillë do të ishte nder për universitetin tonë dhe një tregues tjetër për vëmendjen që ky institucion tregon për figura të tilla të shquara.

I uroj presidentit Moisiu edhe shumë vite jetë e shëndet dhe i shpreh mirënjohje të veçantë për gjithçka që ka bërë dhe bën në dobi të vendit dhe popullit shqiptar.


*Fjala e prof. dr. Ferit Duka gjatë akordimit të titullit “Doctor Honoris Causa” për ish-presidentin e Shqipërisë, z Alfred Moisiu nga Universiteti Europian i Tiranës.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH