Liga e Universiteteve “John Durrahium” zhvilloi këtë të mërkurë (14 maj) asamblenë stinore, e cila kishte në fokus çuarjen para të të gjitha proceseve për “turizmin studentor”. Takimi bëri bashkë drejtues, pedagogë e përfaqësues të universiteteve partnere të Ligës.
Në fjalën hapëse, kryetari i Bordit Drejtues të Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, njëkohësisht rektor i Universitetit “Luarasi”, prof. dr. Ethem Ruka, foli për ecurinë e deritanishme dhe gjithë hapat e ndjekura nga Liga për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Shqipëri, pasi vendi ynë është i fundit në rajon me më pak se 2 mijë studentë të huaj.
Gjithashtu, u fol edhe për nismat e ardhshme për ta bërë sa më të suksesshëm këtë objektiv dhe për të thithur sa më shumë studentë të huaj, për sa kohë që Shqipëria është një destinacion i preferuar për turizmin bregdetar, dentar, klinik, etj.
Në këtë takim u ngritën pesë Grupe Pune: Grupi i Studentëve Ndërkombëtarë; Grupi i Kërkimit Shkencor; Grupi i Komunikimit; Grupi Ligjor; Grupi i Projekteve. Anëtarët e grupeve do të jenë përfaqësues nga secili universitet i Ligës, ndërsa njëri prej tyre do të zgjidhet në pozicionin e monitoruesit, për të mbarëvajtur punën dhe për të realizuar synimet e vendosura.
Pjesë e diskutimit ishte krijimi i instrumenteve dhe mekanizmave në funksion të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të Ligës për çështje të tilla si: konferenca dhe revista shkencore të përbashkëta, projekte të përbashkëta, bibliotekat etj.
Në fund, u ndanë praktikat më të mira që ka pasur deri tani secili prej universitetve jopublike në Shqipëri, që janë pjesë e Ligës, të cilët kanë hedhur hapat e parë me hapjen e programve në gjuhën angleze, ofrimin e diplomave të dyfishta, zhvilimin e shkëmbimeve Erasmus etj.
Takimi i tretë i Ligës për këtë vit akademik u mbajt në ambientet e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, një ndër institucionet e para arsimore në Shqipëri. Historia e tij daton një shekull më parë, kur me nismën e motrave Qiriazi u themelua Instituti Femëror Kyrias në Kodër-Kamëz. Gjatë historisë së tij, kaloi shumë peripeci dhe u mbyll me vendosjen e regjimit komunist. Pas 60 viteve joaktiv, Instituti u rihap në 2006-ën, në të njëjtën ndërtesë dhe hapësirë ku funksionoi në vitet '20-të