Universitet

FJALIMI i Behgjet PACOLLIT: Alfred Moisiu, politikani i vetëm që më dha komfort pas misionit tim

Shkruar nga Liberale

FJALIMI i Behgjet PACOLLIT: Alfred Moisiu, politikani i vetëm që

Fjala përshëndetëse e ish-presidentit të Kosovës, z. Behgjet Pacolli gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për z Alfred Moisiu nga Universiteti Europian i Tiranës. Pacolli është njëkohësisht personaliteti i parë i nderuar nga UET me këtë titull.

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të jem sot këtu me ju në këtë ceremoni të rëndësishëm ku Universiteti Europian i Tiranës i akordon titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” një prej personaliteteve më të shquara të historisë moderne shqiptare. Kështu dua ta quaj dhe besoj se ju jeni dakord mua.

Ky është një moment shprehjeje respekti dhe mirënjohjeje për një figurë që i ka shërbyer vendit me përulësi, urtësi dhe vizion. Roli i presidentit Moisiu, si një faktor uniteti kombëtar, ka qenë vendimtar në momentet kyçe, të fatit të kombit tonë dhe fatit të Shqipërisë.

Ai ka dëshmuar se udhëheqja nuk është thjesht ushtrim pushteti por një akt i lartë i përgjegjësisë, që kërkon maturi, mençuri dhe besim të palëkundur në vlerat demokratike. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e një kulture të re politike, më të urtë, më përfshirëse, më të baraspeshuar, dhe më të përkushtuar për atë çka ushtron. Përkushtimi i presidentit Moisiu ndaj paqes, reformave të integrimit euroatlantik, respektit ndaj të tjerëve, ka qenë gjithmonë frymëzues për mua, besoj edhe për rininë dhe për çdokënd që ka dashur vendin dhe kombin.

Z. president, nuk mund të mos e cek një moment, kur para 20 viteve isha në Afganistan për tre javë në një mision për lirimin e pengjeve. Aty ishte një zonjë nga zonjë nga Kosova, një nga Irlanda dhe një diplomat i Filipineve. Shkova për t’i liruar. Shkova në mal pa sëpatë, si i themi ne, pa ditur asgjë, por me vullnetin e  madh për të vepruar dhe me guximin që pata ia dola t’i liroj.

Kur u ktheva, askush nuk erdhi të më falënderonte, përpos njerëzve normalë. Ishte presidenti Moisiu, i cili përmes mikut tim Vilson Ahmeti, ish-kryeministër i Shqipërisë, më ftoi dhe më tha: “Dua të të takoj”. Erdha këtu dhe pata një pasdite mjaft të bukur me presidentin Moisiu. Ky ishte komforti më i mirë që dikush mund të bënte për mua. Asnjë shqiptar në lidershipin politik, nuk gjeti kurajon ose forcën, që të thotë: “Faleminderit burrë, ke bërë diçka të mirë”.

Për mua në atë kohë, pas atyre vuajtjeve, komforti ishte gjëja më e rëndësishme. Unë mora telefonatë edhe nga presidentja e Filipineve, edhe nga ish-kryeministri i Irlandës. U falënderuan, edhe me letra, madje edhe me një çmim shumë të lartë që e mora në Filipine.

Nga Kosova dhe Shqipëria nuk ishte askush përveç presidentit Moisiu. Faleminderit shumë z. President. Sinqerisht, i jam shumë mirënjohjes dhe falënderues presidentit të këtij tempulli të dijes dhe gjithë stafit akademik, të cilët kanë vendosur që këtë titull të rëndësishëm t’ia përkushtojnë këtij njeriu. Është jashtëzakonisht i merituar.

Unë kam pasur rastin të udhëtoj me presidentin më gjatë, deri në Hagë, dhe tërë kohën është përkujdesur që të pyesë se si është puna me ata të burgosur, që po i quaj të burgosur politikë. Nuk hezitoi tërë kohën që të mos i lëshojë nga mendja.

Kjo energji e mban presidentin Moisiu. Sot ky burrë i ka rrumbullakosur 95 vite dhe dua që të rrumbullakosë edhe 95 të tjera. Shumë suksese president! U priftë e mbara gjithmonë dhe dijeni se këta njerëz këtu jua duan shumë. Jua duan për atë që jeni, për atë që përfaqësoni dhe ju e meritoni atë dashuri.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH