Fjala presidentit të Universitetit Europain të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa gjatë akordimit të titullit “Doctor Honoris Causa” për ish-presidentin e Shqipërisë, z Alfred Moisiu.
Universiteti Europian ka zgjedhur 9 Majin, ditën që përkon me 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më të përgjakshmes në historinë e botës moderne, të nderojë me titullin “Doctor Honoris Causa” një personalitet të shquar të politikës së vendit, siç është presidenti Alfred Moisiu. Dëshiroj të falënderoj me këtë rast Senatin Akademik të UET dhe ministrin e Arsimit, që iniciuan dhe mbështetën këtë propozim. Falënderoj në mënyrë të veçantë z. Moisiu, që e pranoi këtë nderim nga universiteti ynë.
I nderuar z. Moisiu,
këtë vlerësim që iu bën sot Universiteti Europian, ju e ndani me shumë nga ish-kolegët tuaj të politikës; si z.Pacolli, që sot e kemi këtu; presidentin Thaçi, që fatkeqësisht nuk është e mundur të ndodhet me neve; por e ndani edhe me ushtarakë të lartë, siç ishte nderimi i pak muaj më parë i Komandantit Suprem të NATO-s në Evropë, Gjeneral Cavoli.
Kolegët e mi do të lexojnë rekomandimet e tyre, duke bërë një përshkrim të plotë të punës dhe kontributit tuaj z. President. Por dëshiroj të ndaj edhe unë atë vlerësim që mendoj se e ndan çdo qytetar shqiptar për rolin dhe kontributin tuaj personal.
Keni qenë një figurë e rëndësishme e unitetit kombëtar, një personalitet shumë i besueshëm nga shoqëria, edhe pse aq shumë nga politika, por besoj se pikërisht kjo e ka rritur vlerësimin dhe admirimin për figurën tuaj.
Në momente të vështira të historisë sonë politikë, të tranzicionit tonë të trazuar, ju keni ditur të mbani qëndrime të matura, duke vendosur në radhë të parë interesat e vendit dhe qytetarët, keni ditur të ndërtoni konsensus të gjerë, duke garantuar kohezionin social dhe politik të shoqërisë sonë.
Teksa flasim për tranzicionin, duket se sot gjithë bota është po ashtu në një krah tranzicioni drejt një rendi të ri. Pas erës së liberalizimit që preku gjithë botën me shembjen e ish-sistemit komunist, në fund të viteve ’80-të, duket se bota po i kthehet një forme të re të Luftës së Ftohtë.
Dividenti i 80-të viteve paqe në kontinentin tonë, duket se ka përfunduar dhe vendet po shkojnë përsëri drejt një armatimi dhe duhet përsëri për të garantuar paqen përmes forcës, siç është akumuluar tashmë.
Sot është koha e provës së vërtetë të lidershipit politik në nivel botëror, për të punuar për paqen dhe për të shmangur mundësinë e zgjerimit të konflikteve të armatosura, që do të prodhonin pasoja të pallogaritshme për shoqërinë.
Këto kohë shumë kritike për fatet e njerëzimit kërkojnë jo vetëm burime ekonomike të mjaftueshme, që fatkeqësisht janë gjithmonë me ofertë të kufizuar, por mbi të gjitha kërkojnë lidership.
Modelet frymëzuese të shtetarëve të urtë, të cilët kanë ditur të ruajnë paqen dhe ta çojnë kontinentin drejt prosperitetit, duhet të shërbejnë si shembull për të orientuar veprimin politik sot. Si pjesë e këtij kontinenti, edhe ne duhet të bëjmë pjesën që na takon dhe të japim kontributin tonë, së pari duke bërë mirë punët tona të shtëpisë.
Ju z. Moisiu mendoj se jeni një shembull i shtetarit, se si duke vendosur në radhë të parë interesat afatgjata të vendit, mund të nderoni edhe emrin tuaj, duke bërë që kontributi juaj të përjetësohet në historinë e vendit.
Ne sot po bëjmë pikërisht këtë: nderimin e merituar për figurën tuaj, përmes këtij titulli që është më i larti që mund të japë një universitet.
Ju uroj jetë të gjatë dhe mirënjohje për kontributin tuaj!