Universiteti Europian i Tiranës vijon për të njëmbëdhjetin vit radhazi traditën e mbështetjes së artistëve të rinj dhe arteve pamore përmes Kolonisë së Artit të Shqipërisë së Mesme. Ky edicion do të zhvillohet gjatë datave 21-22 maj në natyrën dhe peizazhin e Petrelës. Pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jenë nxënës të Liceut Artistik "Jordan Misja", si dhe studentë diplomantë të Programit Arte Pamore në UET.
Si çdo vit, edhe në këtë edicion të njëmbëdhjetë, juria do të përbëhet nga mjeshtra e emra të njohur të pikturës shqiptare, por edhe pedagogë të arteve pamore. Piktori Zef Shoshi, i konsideruar si mjeshtri i portretve, do të kryesojë jurinë e cila përbëhet nga anëtarët: Blegina Hasko, Abaz Hado, Bujar Kapexhiu, Albert Shijaku dhe Romeo Lukaci.
Si çdo vit, Kolonia e Artit UET zhvillohet në javën e tretë të muajit maj, duke bërë bashkë breza të ndryshëm artistësh, eksperiencash, rrymash dhe stilesh në pikturë. Ky është edhe qëllimi i kësaj ngjarje të rëndësishme të organizuar nga UET: bashkimi i mjeshtrave dhe talenteve të reja në mënyrë që të shkëmbejnë dhe ndajnë me njëri-tjetrin pasionin dhe përkushtimin ndaj artit e pikturës.
Përveç kësaj, Kolonia e Artit UET është një ngjarje e bukur edhe për vetë piktorët, të cilët i rikthehen kontaktit me natyrën, ritakohen me njëri-tjetrin, me studiues e ekspertë të artëve pamore, si dhe njihen me brezat e rinj, tendencat dhe pasionet që ata kanë.
Përveçse takim, dialog e bashkëbisedim me personalitetet e pikturës, kjo ngjarje është dhe përmbushje e detyrimit që kanë studentët e Arteve Pamore në UET para diplomimit. Punimet e tyre bëhen pjesë e ekspozitave në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.