Greqia, Rumania, Spanja, Qipro dhe Sllovakia janë pesë vendet e BE-së që nuk e njohin ende Kosovën. Deputeti gjerman Johannes Volkmann, i cili është edhe nipi i ish kancelarit Helmut Kohl ka deklaruar në Bundestag se të gjitha vendet e BE duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Gjatë një debati për vazhdimin e pjesëmarrjes së trupave gjermane në misionin paqeruajtës të KFOR-it, Volkmann shprehu mbështetje të qartë për shtetin e Kosovës, duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që legjitimon pavarësinë e saj.
Gjithashtu, deputeti gjerman bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ndau videon e fjalimit të tij në rrjetet sociale, duke e falënderuar për mbështetjen.
“Faleminderit Johannes! Ndërsa fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, nipi i tij debutoi me një përkushtim të fuqishëm për Kosovën,” shkroi Ajeti në Facebook.