Komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Marta Kos, tha se rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut dhe normalizimit të raporteve me Serbinë dhe jo hapave të njëanshëm.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, përsëriti se “Kosova duhet të formojë sa më shpejt institucionet e saj” dhe nënvizoi qartë se “vendi duhet të ketë parasysh se përparimi drejt Bashkimit Evropian lidhet me dialogun me Serbinë”. Këtë deklaratë Marta Kos e bëri gjatë një debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian.
Ajo nënvizoi se “Komisioni është i gatshëm të përpilojë mendimin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në BE kur Këshilli të kërkojë një gjë të tillë”.
“Në Kosovë, pas zgjedhjeve të shkurtit, është thelbësore që të formohen shpejt institucionet dhe të shkohet përpara me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, tha komisionerja e BE-së.
Rruga e Kosovës drejt BE-së normalizimi i raporteve me Serbinë
Kosova, që në dhjetor të vitit 2022, ka dorëzuar formalisht kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë asnjëherë nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit Evropian.
“Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë mendimin për anëtarësimin e Kosovës në BE, kur të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli. Por më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të raporteve me Beogradin e jo përmes veprimeve të njëanshme”, ka thënë Kos.
Sipas procedurave në Bashkimin Evropian, vendet anëtare në Këshill duhet të mandatojnë Komisionin Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Pastaj, vendimet në bazë të atij mendimi i merr Këshilli, duke vepruar njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.
Në kohën kur zhvillohej debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, zëvendëskryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, takoi në Bruksel Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Ky është takimi i parë i Bislimit me Sørensen në Bruksel. Sørensen nuk foli për takimin, por, sipas kryenegociatorit të Kosovës, në takim janë ngritur një sërë çështjesh.
“Fillimisht ai na tregoi për qasjen që ai mendon ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kaja Kallas. Në takimin bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është shumë me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje”, tha Bislimi.
Ai përmendi çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit Kosovë-Serbi, mosfunksionimin e linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshihet në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë ndërmjet dy vendeve.
Në Kosovë prej gati katër muajsh pas përfundimit të zgjedhjeve, akoma nuk janë themeluar institucionet e reja, pasi Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar për t’i hapur rrugë krijimit të qeverisë së re.
Për këtë “vakum institucional” është i vetëdijshëm edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por ai thotë se për disa çështje mund të flitet në Bruksel.
“Natyrisht që ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë. Mendoj se nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”.
A do të zgjidhet ngërçi politik së shpejti?
Të mërkurën, me 04.06 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish për të 25-tën herë me radhë, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, ndonëse nuk është njoftuar për ndonjë marrëveshje politike që do ta nxirrte vendin nga bllokada institucionale. Nëse nuk gjendet zgjidhje nga ngërçi i krijuar politik, përfaqësuesit e të gjitha partive politike nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe kryesisë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, detyrohet të caktojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë që ka Kuvendi i Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet me 48 vendet e siguruara, duhet patjetër të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë.