Ish-presidenti rumun Ion Iliescu -- një nga udhëheqësit politikë më me ndikim, por edhe më kontrovers të Rumanisë postkomuniste -- vdiq në Bukuresht më 5 gusht. Ai ishte 95 vjeç.
Ish-presidenti ishte shtruar në spital që nga 9 qershori, me mjekët që e diagnostikuan me kancer në mushkëri.
Në një deklaratë, qeveria njoftoi vdekjen e Iliescut "me keqardhje të thellë" dhe u shprehu ngushëllime familjes dhe miqve të tij.
I adhuruar dhe i përbuzur njëkohësisht, Iliescu ishte një nga politikanët më kontroversë në periudhën e demokracisë që pasoi përmbysjen në dhjetor 1989 të diktatorit të hershëm Nikolae Çaushesku.
Iliesku kishte qenë ministër i qeverisë përpara se të mënjanohej nga Çaushesku në fillim të viteve 1970. Në dhjetor 1989, ai e paraqiti veten si disident kundër regjimit të Çausheskut dhe doli si udhëheqës i Frontit të Shpëtimit Kombëtar, një grup që mori kontrollin e vendit pasi Çaushesku dhe gruaja e tij u rrëzuan dhe u ekzekutuan.
Në maj të vitit 1990, ai u bë presidenti i parë i zgjedhur i Rumanisë, duke shërbyer deri në vitin 1996. Megjithatë, mandati i tij u njollos nga transferimi i përgjakshëm i pushtetit, ku u vranë 862 persona, dhe vendimi i tij për të mobilizuar minatorët grevistë për të shtypur me dhunë protestat antiqeveritare në qershor të vitit 1990, në atë që shumë e konsideruan si një taktikë për të mbajtur pushtetin.
Në vitin 2018, ai u akuzua për krime kundër njerëzimit për rolin e tij në ato ngjarje të dhunshme. Çështja ngeci disa herë, por në vitin 2023, Gjykata e Apelit vendosi që gjyqi mund të vazhdojë.
Në mandatin e tij të dytë në detyrë, nga viti 2000 deri në vitin 2004, Iliescu luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e anëtarësimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian. Nën presidencën e tij, Rumania nënshkroi gjithashtu traktatin e anëtarësimit në NATO në vitin 2004, me vendin që iu bashkua aleancës ushtarake pak para se ai të largohej nga detyra.
Kur njoftoi vdekjen e Iliescut, qeveria tha se detajet në lidhje me funeralin shtetëror të ish-presidentit do të publikohen në ditët në vijim. 7 gushti është shpallur ditë zie kombëtare në Rumani.