Bashkimi Evropian ka vendosur të mos zgjasë më skemën e përjashtimeve tarifore për mallrat ukrainase, një masë që ishte miratuar menjëherë pas nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, si formë mbështetjeje për ekonominë e vendit në luftë.
Sipas Komisionit Evropian, nga mesnata e djeshme (6 qershor), ka hyrë në fuqi një regjim i ri i përkohshëm që rikthen kuotat tarifore sipas marrëveshjes së tregtisë së lirë të vitit 2016, deri në përfundimin e negociatave për një marrëveshje të re më të qëndrueshme.
Vendimi erdhi pas rritjes së shqetësimeve në disa shtete anëtare të BE-së sidomos në Europën Lindore ku fermerët protestuan për shkak të konkurrencës që u krijua nga importet e lira bujqësore ukrainase. Ata argumentuan se tregjet vendase po dëmtoheshin nga produktet pa tarifa doganore si gruri, misri, vezët dhe mishi i shpendëve.
Edhe brenda Francës janë shtuar zërat për kontroll më të rreptë të kufijve doganorë për të mbrojtur interesat bujqësore kombëtare. Burime diplomatike nga BE konfirmojnë se presioni i interesave bujqësore kombëtare ndikoi në vendimin për t’i dhënë fund koncesioneve.
Sipas kushteve të reja, nga tani e deri në fund të vitit 2025, Ukraina do të mund të eksportojë vetëm 7/12 e kuotave vjetore të parashikuara në marrëveshjen ekzistuese, një reduktim i dukshëm krahasuar me përjashtimet e mëparshme.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se po punon në mënyrë të përshpejtuar për një marrëveshje të re tregtare, që do të synojë të balancojë nevojën për mbështetje ndaj Ukrainës me mbrojtjen e interesave të prodhuesve bujqësorë evropianë.