Përfaqësuesja e Lartë për Çështjet e Jashtme në Bashkimin Europian, Kaja Kallas përmbylli të shtunën një vizitë në tre shtete të Ballkanit Perëndimor.
Ajo vizitoi Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Në të tre vendet që shkoi ajo dha disa mesazhe të qarta, të cilat i përmblodhi shkurtimisht në një postim në rrjetet sociale.
“Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për Bashkimin Europian”, shkroi ajo duke shtuar se zgjerimi me këtë rajon është “projekti më i rëndësishëm gjeopolitik për BE-në” dhe gjithashtu “një prioritet personal” për të vetë.
Në Kosovë, ajo u fokusua te ngërçi politik, duke inkurajuar të gjitha aktorët politikë që ta kalojnë atë dhe të formojnë sa më shpejt qeverinë.
“Udhëheqësit duhet të lënë mënjanë ndarjet dhe të vënë në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, shkroi Kallas në Instagram.