Kjo vepër është marrë nga profili "Facebook", i Dash Frashërit, realizuar nga piktori Idriz Berisha. Me ngjyra të forta dhe forma të thjeshta, piktori ka krijuar një imazh të veçantë që thekson lavdinë dhe fuqinë e dashit.
Idriz Berisha është piktor e poet, ka lindur më 1953, në Dobërdol të Klinës. Ka kryer shkollën e mesme të artit në Pejë, kurse akademinë e arteve në Universitetin e Prishtinës.
Nga vitet ’80 të shek. të kaluar është angazhuar në rrjedhat e artit figurativ të Kosovës si anëtar i SHAFAK-së dhe rregullisht merr pjesë në ekspozitat që organizon ky asociacion brenda e jashtë vendit.
Rreth tri dekada ka punuar si mësimdhënës i artit në disa shkolla të Malishevës e të Klinës. Në vitet 1997-1998 punoi në Këshillin Komunal të Arsimit të Klinës, këshilltar i kulturës, kurse gjatë luftës u angazhua në radhët e UÇK-së me punë profesionale.
Ka dhënë ndihmesën e tij në fushën e kulturës me angazhime të ndryshme në trojet shqiptare dhe jashtë, me veprimtari figurative e letrare. Ka bërë ilustrime të shumta librash, dhjetëra skenografi dramash, festivalesh e koncertesh dhe ka marrë pjesë në disa koloni artistësh në hapësirën kombëtare.
Ka marrë disa çmime për pikturë: në Sallonin e Nëntorit të SHAFAK-së, Prishtinë, 2012; Piktor i vitit 2012 (Pegasi – Albania), Piktor – artist i shquar 2015 (Pegasi – Albania); Çmimi special, Global Art 2, Kosova Art; Çmimi “Agim Ramadani” – ekspozita e përbashkët QK, Cyrih, Zvicër; Çmimi i parë në konkursin gjithëkombëtar për “Vitin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut” (Prizren, qershor 2018), si dhe një varg mirënjohjesh e çmimesh të tjera.