Ervis Iljazaj
Midis shumë anomalive të kodit tonë zgjedhor, ekziston një e tillë e cila nuk ka as logjikë politike dhe as logjikë kulturore. Ka të bëjë me parashikimin e kodit zgjedhor se një në tre kandidatë në listat e mbylllura duhet të jenë gra. Jo vetëm kaq, por parashikohet se një në tre fitues duhet të jetë grua edhe në listat e hapura.
Nëse në listat e mbyllura kuotat gjinore mund të kenë një farë kuptimi, sepse është një vendim politik pavarësisht votës, në listat e hapura kuotat gjinore janë jashtë çdo lloj logjike politike të demokracisë. Pra, në listat e hapura, nëse Partia Socialiste supozojmë se ka fituar tre mandate në një qark dhe tre më të votuarit janë burra, i treti më pak i votuar duhet t’ja lërë vendin një gruaje pavarësisht se ajo mund të ketë më pak preferenca se ai, sepse kodi ynë zgjedhor parashikon se një në tre fitues duhet të jetë grua.
Është absurde të mendosh që një kandidat ka marrë preferencat e majftueshme për t’u zjedhur deputet, por nuk shkon dot në parlament të përfaqësojë zgjedhësit për faktin se është burrë.
E gjitha kjo histori, pra kuotat gjinore, që parashikon kodi ynë zgjedhor, është bërë me marrëveshje të të dyja kahëve politikë për të ndihmuar integrimin e grave në politikë. Mirëpo, problemi qëndron se kuotat nuk ndihmojnë as integrimin e grave dhe as demokracinë shqiptare sepse e deformojnë atë duke mos u përputhur me preferencat e qytetarëve.
Po të shikosh sot qeverinë apo parlamentin, Shqipëria është ndoshta në vendet e para të Europës për sa i përket numrit të grave, gjë e cila është e gjitha një fasadë që nuk përkon me realitetin e grave në shoqërinë shqiptare. Aq me tepër që kuotat janë të dëmshme edhe për vetë gratë dhe integrimin e tyre në shoqëri si të barabarta me burrat. Sepse kuotat parashikojnë një gjë të dhuruar dhe jo të fituar. Kuotat gjithashtu fshehin realitetin e grave në shoqërinë tonë dhe në këtë mënyrë diskutimin real për këtë cështje.
Gratë shqiptare nuk kanë nevojë për lëmoshë nga ana e burrave apo t’ju dhurohet integrimi i tyre në shoqëri, mjafton që ato të garojnë në kushte të barabarta dhe ftiojnë me zotësinë e tyre. Kaq kanë nevojë gratë në Shqipëri, për kushte të barabarta dhe asgjë më tepër. Çdo gjë tjetër e dhuruar është në dëm të tyre.
Është e vërtetë që sot kemi më shumë gra në politikë falë kuotave, por a kemi një përfaqësim cilësor të tyre, a i kanë sjëllë ato ndonjë gjë shtesë jetës publike? Në fakt po të krahasojmë deputetet gra para kuotave me deputetet gra tani që kemi kuotat, ato të parat kanë qenë shumë herë më cilësore se tani. Tashmë gratë shqiptare në politikë, kanë marrë veset e burrave. Thjesht janë bërë servile të kryetarëve dhe janë aty sa për të ngritur kartonët. Ndërsa përpara kuotave ne kemi patur emra si Arta Dade, Majlinda Bregu apo Mimi Kodheli, të cilat kanë lënë gjurmë në politikën shqiptare, nga përfaqësimi i grave si pasojë e kuotave në ditët e sotme, duket sikur ato janë thjeshtë nurma dhe aspak përmbajtje. Sigurisht jo të gjitha janë kështu, por pjesa më e madhe nuk ka sjellë asgjë të re dhe nuk është se mbahet mend për ndonjë aktivitet politik që spikat.
Por përveç cilësisë, kuotat kanë një problem me përfaqësimin e drejtë në tërësi. Ato deformojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë për shkak të gjinisë, një absurditet i cili duhet të marrë fund më së paku te lista e hapur. Gratë shqiptare ja dalin vetë në politikë, mjafton t’i lësh të lira dhe në kushte të barabarta. Ashtu sikurse ja kanë dalë në shumë fusha si arsim, mjekësi apo dhe sipërmarrje, aty ku kuotat nuk ekzistojnë fare.