Parlamenti Suedez, Riksdag, ka miratuar një ligj të ri që ndalon blerjen e shërbimeve seksuale në platformën OnlyFans, duke e bërë të paligjshëm pagesën për materiale seksuale të personalizuara. Ky ligj, që hyn në fuqi më 1 korrik, synon të mbushë një boshllëk ligjor për shfrytëzimin seksual në format dixhitale dhe të mbrojë individët nga eksploatimi në internet.
Sipas këtij ligji, pagesat për materiale të pararegjistruara, siç janë videot, mbeten të lejuara, përderisa blerësi nuk ndikon në përmbajtje. Megjithatë, do të jetë e paligjshme të paguash dikë për të kryer akte seksuale për t’i dërguar materiale klientëve përmes videos ose kamerës.
Ligji gjithashtu kriminalizon çdo formë promovimi ose shfrytëzimi ekonomik të individëve që ofrojnë shërbime seksuale nga distanca, përfshirë ndërmjetësimin, prodhimin e përmbajtjes dhe ofrimin e platformave për këtë qëllim. Kjo përfshin platforma si OnlyFans.
Në reagim ndaj këtij ligji, OnlyFans deklaroi se kontributi i saj ishte i rëndësishëm për ekonominë dhe përfshinte pagesën e taksave në vlerën prej 12 milionë dollarësh çdo vit. Megjithatë, qeveria suedeze ka këmbëngulur se ky ligj është i nevojshëm për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të luftuar komercializimin e shfrytëzimit seksual në internet.