Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet ndaj modeles së njohur Arbenita Ismajli, e cila dyshohet për mospërfillje të vendimit të gjykatës lidhur me marrëdhëniet me fëmijën. Sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Insajderi, Arbenita nuk ka lejuar kontaktin e reperit Fero me vajzën e tyre, Nina Shabani, pavarësisht urdhrit të gjykatës që përcakton takimet dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan.
Në datën 19 mars 2025, ajo ka vazhduar të pengojë babanë biologjik të fëmijës të ushtrojë të drejtën për kontakt, edhe pse ishte njoftuar për revokimin e autorizimit për të marrë vajzën jashtë vendit. Prokuroria, pas shqyrtimit të provave dhe materialeve të paraqitura nga policia, ka konfirmuar nisjen e hetimeve për këtë rast. Më 21 dhjetor 2024, prokurori për të mitur ka ngritur aktakuzë kundër Arbenita Ismajlit për shkelje të vendimit gjyqësor dhe mospërmbushje të detyrave ligjore në lidhje me kujdestarinë dhe kontaktin me fëmijën.