Bota

Gjykata e Lartë në Londër refuzon ekstradimin e Ilirian Zeqajt: Procesi në Shqipëri….

Shkruar nga Liberale.al

Gjykata e Lartë në Londër refuzon ekstradimin e Ilirian Zeqajt:

Gjykata e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar ka vendosur të mos ekstradojë Ilirian Zeqajn, 52-vjeçarin shqiptar të akuzuar për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri, ngjarje që daton rreth 30 vite më parë.

Në vendimin e saj, Gjykata thekson se ekstradimi i Zeqajt do të përbënte një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, pasi procesi gjyqësor në vendin tonë konsiderohet i padrejtë dhe i papajtueshëm me standardet ndërkombëtare.

Zeqaj kishte kërkuar azil në Britani në vitin 1999, duke përdorur një identitet të rremë, ndërkohë që në Shqipëri ishte dënuar në mungesë në vitin 2002 për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2013, ai u ekstradua për herë të parë, por më pas, në apel, u shpall i pafajshëm dhe u rikthye në Britani në vitin 2014.

Në vitin 2017, një gjykatë shqiptare anuloi pafajësinë e tij dhe vendosi rigjykimin, por ky vendim u mor në mungesë të Zeqajt dhe pa përfaqësimin e tij ligjor. Kjo është një nga pikat kyçe që gjykatësit Lord Justice Popplewell dhe Mr Justice Saini vunë në dukje, duke theksuar se një proces i tillë është thelbësisht i padrejtë dhe dëmton seriozisht të drejtën për një mbrojtje efektive.

Gjithashtu, trupa gjyqësore shqiptare që vendosi për rigjykimin, sipas gjykatës britanike, ishte shkarkuar më vonë nga sistemi përmes procesit të vettingut, çka vë në pikëpyetje paanshmërinë dhe besueshmërinë e vendimeve të tyre.

Ekstradimi i Zeqajt ishte miratuar fillimisht në vitin 2024 dhe konfirmuar nga Home Office, por me këtë vendim të ri, çështja mbyllet përfundimisht në favor të Zeqajt, i cili mbetet i lirë në territorin britanik.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH