Vepra e titulluar "Natyrë e qetë me pulë", është realizuar nga piktori Nexhmedin Zajmi në vitin 1955, i cili paraqet një skenë të thjeshtë me emocion fshataresk.
Nexhmedin Zajmi, është piktor nga fshati Trebisht i Gollobordës, i cili lindi në vitin 1916 në një zonë të ftohtë por të pasur me tradita dhe ngjyra.
Pas studimeve në Akademinë e Arteve të Romës, Zajmi solli në Shqipëri një teknikë të avancuar dhe frymën e artit realist, që ndikoi fort në zhvillimin e pikturës shqiptare. Ai u bë një nga mësuesit e parë të brezit të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë.
Pasi kreu shkollën teknike në Tiranë, ai studioi vizatim dhe pikturë në Itali, ku i dha formë stilit të tij unik. Në vitin 1944 u emërua pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë dhe më pas në Liceun Artistik "Jordan Misja". Në vitin 1955, Zajmi mori drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe u emërua pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, ku punoi deri në vitin 1969.
Gjatë karrierës së tij, Zajmi mori pjesë në ekspozita të shumta, duke përfaqësuar Shqipërinë në Bienalet e Aleksandrisë, Bukureshtit, Sofjes, Vjenës dhe në shumë qytete të tjera.
Vepra e tij është pjesë e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku ndodhen 72 piktura, përfshirë disa të realizuara në Itali gjatë viteve '40. Në vitin 1961, ai u nderua me titullin "Piktor i Popullit".
Pas një karriere të pasur, Zajmi u nda nga jeta në vitin 1991, por pasioni për artin e tij u trashëgua nga vajza e tij, piktorja Anila N. Zajmi, e cila vazhdon të jetojë dhe të krijojë në Itali.