Nga Luiza Pinderi
Si këngëtare, imituese, piktore e kërcimtare, Keris Babliku ka befasuar në të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë. Ka dhënë dhe ka fituar nga skena, por kurrë nuk e ka përqafuar vanitetin që ajo të jep.
Jo se nuk i kalon në fytyrë një keqardhje e lehtë. Por jetësimi i këtij emocioni zgjat aq sa qëndron një dorë bore kur hidhet në ujë. “Shkova për të shfaqur pasionin tim”, thotë Keris, “nuk shkova për t’u bërë e famshme apo virale”.
Rrugëtimi i saj në “Albanian Got’s Talent” është mbyllur pas dy performancave aspak të zakonshme e me vlerësime maksimale, por pa arritur të prekë finalen.
Në mbrëmjen gjysmëfinale, përgjatë vetëm pesë minutave, juria e publiku u njoh me një këngëtare, një piktore dhe një kërcimtare të zonja, njëkohësisht “të panjohur” nga faza e parë e konkurrimit ku Keris Babliku u shfaq si imituese dhe ngjiti në skenë këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare, nga Marsela Çibukaj te Rovena Dilo, Elavana Gjata, Jonida Maliqi, Flori Mumajesi, etj.
Dëshira për të shpërfaqur dimensionet e reja ishte vendimtare në zgjedhjen e saj. Iu dorëzua “tundimit” të këngës që kishte shkruar vite më parë, frymëzuar nga vepra e Migjenit. Hyri në skenë duke luajtur me kitarë, e pasi filloi të këndonte e la atë mënjanë. U ul në mes të skenës, mori penelin dhe pikturoi gjysmën e fytyrës së një fëmije që bashkohej me gjysmën e flokut të dëborës. Timbri i ngrohtë shoshiti gjithë ndjesinë e braktisjes dhe ftohtësisë që përcillte pamja në letër.
Përtej vlerësimeve pozitive, për aktorin Agron Llakaj, Keris nuk ishte plotësisht në profilin që ai do të dëshironte ta shihte. “Je e mrekullueshme në imitim, e vetmja që mund të udhëheqësh një stand-up comedy”, theksoi ai, duke lënë të kuptohet se donte një performancë të ngjashme me natën e parë të prezantimit në spektakël. Menjëherë ai e ‘hodhi’ te Grida Duma, personazhi që Keris e ka imituar për gati një sezon në “Al Pazar”, duke i dhënë provat se është një nga imitueset më të mira të këtij personazhi, aq sa pa droje mund të quhet Grida e dytë e ekranit.
“Ishte një eksperiencë shumë e bukur”, kujton Keris përfshirjen rastësore në spektaklin e humorit pas përzgjedhjes nga audicionet. Gjeti mes kolegëve një ambient mikpritës që ia bënë më të lehtë dhe më të bukur këtë përvojë. “Agroni është mentor dhe mbështetje shumë e mirë.”
Rrugëtimi me aktrimin ka nisur që në vitet e hershme të gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës, kur bëhej pjesë e shfaqjeve të vogla festive apo e konkurseve mes shkollave, siç ishte vënia në skenë e dramës së Shekspirit “Mbreti Lir”, duke portretizuar personazhin e Lolos.
Një sukses më vete ishte marrja e çmimit të parë në Stand Up Albania 2020, që u transmetua në Radio Televizionin Shqiptar. Imitimi i prezantueseve Alketa Vejsiu e Ori Nebiaj, si dhe i disa këngëtarëve të muzikës së lehtë, të ardhura të gjitha përmes një skenari të rrjedhshëm, të kopsitur, që lejonte kalimin integral nga njëri-personazh te tjetri, e bënë menjëherë për vete jurinë e atij edicioni.
Kur imiton personazhet e njohur, ekziston gjithmonë frika se do të ketë reagime prej tyre, mospëlqime, kritika. Por jo me Keris! Sigurohet mjaftueshëm që të mos ofendojë asnjë, duke nxjerrë në pah me pozitivitet më të mirën prej tyre, larg ceneve apo ekzagjerimeve që i shohim të paraqiten rëndom në programet e humorit. “Tekstet janë shkruar me shumë dashuri”, shprehet Keris.
Ka një lloj natyrshmërie në çdo lloj gjëje që ajo merr përsipër të bëjë, larg sforcimeve, fryrjeve, tendencave apo qëllimeve për të prekur diçka apo dikë. Në mënyrë rastësore zgjedh edhe personazhet, teksa veshi i kap ndonjë batutë apo fjali dhe menjëherë e fikson për ta bërë pjesë të repertorit. Përmes satirës fine dhe të butë, prek mënyrën sesi ndodhin disa fenomene në shoqërinë tonë.
Ushqyer me art
Afërsia gjeografike dhe njohja me gjuhën greke, duket se u bë shkak që prindërit të huazonin fjalën kerasia (kεράσια) për të krijuar emrin e rrallë të vajzës së tyre. Kerasia është pema e qershisë, e në kërkim të origjinës së largët del se kjo fjalë identifikonte një peme me fruta të ëmbël dhe të bukur.
Kur sot njeh Kerisin dhe talentet e saj të shumtë në art, njëjtë si një pemë plotë me kokrra, mendon se nuk do të kishte një emër që do t’i shkonte kaq për shtat. E rritur në një familje artdashëse, me mamin mësuese, babanë ekonomist e vëllain sot shkrimtar, të cilët kanë lundruar mes pasioneve për këngën, artin, letërsinë e përkthimin, Keris pati mundësinë që t’i prekte këto fusha që në fëmijëri.
E para ishte piktura. E përqafoi aq natyrshëm, si çdo fëmijë në kopsht që e ka më lehtë të rrëmbejë fillimisht lapsin e ngjyrat. Me kalimin e viteve e kaliti dorën, falë edhe teknikave të mësuara nga daja piktor, duke mos iu ndarë asnjëherë telajos. I dorëzohet asaj sa herë që dëshiron të shprehë atë ndjesi që nuk ta thotë as fjala e as muzika.
Kur ishte shtatë vjeç nisi kursin e kërcimit, e në moshën 12-vjeçare, për një periudhë mbi një vjeçare, “shëtiti” nëpër partiturat klasike në kursin e kitarës. Ky instrument është gjithmonë i pranishëm në skenë kur imiton artistë të tjerë. Provoi këngën në festivalet për fëmijë në qytetin e Korçës. Në moshën 17-vjeçare u bë pjesë e Këngës Magjike. “I bëra të gjitha vetë, nga produksioni te muzika e teksti”, tregon Keris.
Rrugëtimi me kërcimin ka qenë më aktiv ndër vite, duke eksploruar edhe këtu me zhanret: klasik, latin, popullor. Gjatë periudhës së gjimnazit ka qenë pjesë e Ansamblit Skënderbeu, e ka marrë pjesë nëpër organizime e festivale të ndryshme, madje edhe është vlerësuar me çmimin si valltarja më e mirë. Tashmë angazhohet me kohë të pjesshme pranë Ansamblit Tirana.
E ndërsa vijon studimet në Universitetin Europian të Tiranës, punon part-time në organizata, konkurron dhe merr pjesë gjithmonë kur sheh se ka kompeticione që nxjerrin në pah një talent të caktuar. Të tillë janë konkurset UET Talent ku Keris ka garuar pothuajse çdo vit, në kërcim, instrument apo këngë, si dhe është bërë pjesë e shfaqjeve teatrale.
“Jam mësuar që e vogël të bëj disa gjëra", e sqaron më tej çudinë që të shkakton. "Jam shumë energjike dhe jam mësuar ta kem ditën të ngarkuar.” Vlerëson padyshim punën e madhe të prindërve, që jo vetëm e rritën në një ambient me muzikë e letërsi të mirë, por edhe e mbështetën që ajo të zhvillojë pasionet e saj. E po aq fatlume ndjehet për faktin se ka qenë gjithmonë e rrethuar nga njerëz të mirë, që mund t’iu referohet për këshilla e mbështetje në të gjithë veprimtarinë.
Një artiste në programim
E nëse kaq nuk mjafton për t’u habitur apo për të formuluar aq qartë pyetjet breshëri ndaj Kerisit, ka diçka që të bën të shqiptosh me zë të lartë pyetjen: Çfarë, seriozisht e ke?! Është një reagim aq i natyrshëm kur mëson se Keris nuk është studente as e muzikës, as e pikturës, as e aktrimit. Nuk është as e komunikimit, psikologjisë, apo shkencave juridike e politike.
Po të tillë reagim të shkakton kur dëgjon se në maturë ka qenë nxënëse ekselente dhe është shpallur fituese në të gjitha programet e studimit për në universitetet shtetërore, nga Mjekësia te Stomatologjia, Farmacia, Inxhinieria etj. Por zgjodhi të studiojë Inxhinieri Informatike në Universitetin Europian të Tiranës pasi dëgjoi në rrethin shoqëror disa prej benefiteve që mund t’i vlenin për zhvillimin profesional. “Kisha disa të njohur nga UET dhe ata më shtynë ta provoj. Ka pjesën e klubeve ku mund të angazhohesh, zhvillohen workshop-e e aktivitete që janë të mirë për network.”
Natyrën aktive, angazhuese e ka shfaqur gjatë tre viteve të bachelor-it. Është përfshirë në konkurse programimi brenda dhe jashtë universitetit, disa të vlerësuara me çmime. Pavarësisht pasioneve të shumta, që ajo mendon të mos i shkëpusë asnjëherë prej vetes, por t’i fuqizojë dhe pasurojë më tej, është e bindur që profesioni i ardhshëm të jetë në shkencat ekzakte. Për këtë arsye dëshiron që gjatë studimeve master të thellohet më tej në pjesët matematikore të programimit.
Se ku gjendet arti te matematika apo matematika te arti, mjafton të kujtohet shprehja e novatorit dhe sipërmarrësit gjerman Sebastian Thrun, i cili thotë: “Për mua, matematika, shkenca kompjuterike dhe artet janë të lidhura çmendurisht. Janë të gjitha shprehje krijuese”.
Më se e kuptueshme edhe dëshira e Kerisit!/Revista Liberale