Universitet

Forumet UET/ CEO i Patoko: Shqipëria ka shumë potencial në fushën e teknologjisë

Shkruar nga Liberale

Forumet UET/ CEO i Patoko: Shqipëria ka shumë potencial në

Forumi i tetë për vitin akademik 2024-2025 solli në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës CEO-n dhe bashkëthemeluesin e Patoko App, Arbër Kadia, për të ndarë me studentët rrugëtimin e tij në sipërmarrje.

Ecejaket e para në biznes i nisi në moshën 10-vjeçare. Ishte viti 1993, kur në ndihmë shokut të tij, hyri te ish-ndërmarrja artistike “Migjeni” për të shitur blloqe, portofola, buzëkuqe e produkte të tjera. “Nuk kisha probleme me komunikimin”, thotë Arbër Kadia, gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës.
I diplomuar në fillim të viteve 2000, në një nga kolegjet më elitare në botë, Eton College, e më tej në Universitetin e Bristolit, mori vendimin për t’u rikthyer në Shqipëri. Ishte viti 2008 dhe ende nuk kishte nisur kriza e famshme me Lehman Brothers.

Përgjatë viteve pati një sërë eksperiencash në Ministrinë e Kulturës, TAP, media, biznes, deri sa erdhi momenti për të ndërmarrë nismën e tij private e për të krijuar Patoko, një nga aplikacionet më novatore në Shqipëri që lidh kërkuesit dhe ofruesit e shërbimeve të ndryshme.

Forumet UET/ CEO i Patoko: Shqipëria ka shumë potencial në

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Mateo Spaho, e cilësoi një nga njerëzit që i duhet Shqipërisë dhe ekonomisë tonë. “Është frymëzim për studentët për sipërmarrjen, dhe frymëzim i dëshirës dhe kurajës që gjithsecili duhet të ketë te vetja.” Për ta njohur më tepër këtë model biznesi me bumin e teknologjisë, studentëve do t’iu ofrohet mundësia e internship-ve për të mësuar dhe për t’u familjarizuar më tej me startap-et.

Duke folur për ardhjen e momentit të hedhjes në treg të Patoko App në vitin 2023, fillimisht duke ofruar vetëm shërbimin taksi, Kadia tha se të gjithë mund të mendonin se zgjerimi i aplikacionit do të vijonte në pjesën e mobilitetit. Por ata vendosën të pyesin konsumatorët se cilat ishin shërbimet që iu mungonin dhe kishin vështirësi për t’i gjetur në treg.
“Aktualisht ne kemi disa shërbime: nga taksia, te rezervimi restorantet, delivery, pjesa e marrjes së informacionit të autobusëve, pastrimi, mirëmbajtja. Kemi premisën për të shtuar shërbime të tjera”, theksoi Kadia.

Duke e cilësuar një asistent privat inteligjent, ai shpjegoi se çfarë e bën ndryshe apo të suksesshëm Patoko, i cili përmban gjashtë app-e në një, dhe që konkurron mes 1.3 milionë aplikacioneve sot në botë, pjesa më e madhe të cilëve ka kaluar në “varrezë”, duke u fshirë nga përdoruesit. Madje sipas statistikave, 1 në 2 aplikacione fshihet. Edhe ato që mbahen për 30 ditë, fshihen përsëri, për arsye të ndryshme si, mungesa e hapësirës në telefon, mos aksesimi i duhur i shërbimit, etj.

Forumet UET/ CEO i Patoko: Shqipëria ka shumë potencial në

“Ajo që na bën ne të veçantë në treg është se vijmë si super-app. Duke qenë se jemi të vegjël, jemi më fleksibël të ofrojmë shërbime. Kjo na dha idenë për të krijuar një aplikacion me zgjidhje teknologjike i cili është demokratik dhe i jep çdo gjë përdoruesit dhe tregut. Ofruesi dhe kërkuesi te ne gjejnë njëri-tjetrin.”

Kadia tha se kanë tentuar shumë ta bëjnë jashtë Azisë, por në vendet e Europës dhe botë perëndimore nuk ka ndodhur akoma ky model. “Ne mendojmë se Shqipëria, që edhe të lejon edhe të pengon, është vendi i çudirave dhe na jep mundësinë të bëjmë çudira”, tha ai.
Me synimin për të krijuar biznese inteligjente që të ecin më shpejt në treg, Kadia tha se app-i do t’iu ofrojë mundësinë e menaxhimit të punës, të rezervimeve, stafit dhe operacione të tjera finaciare apo administrative.

Ai tha se sot mundësitë janë të pafundme në fushën e teknologjisë dhe Shqipëria ka potencial në këtë drejtim, gjë që është vërtetuar më së miri me raste suksesi si Mira Murati, e cila kaloi nga punonjëse në sipërmarrje. “Përveç turizmit, teknologjia mbetet e rëndësishme në Shqipëri dhe është rritur dëshira për t’u përfshirë më të, gjë që e kam vërejtur me startap-et.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH