Në një bashkëbisedim me studentët në FORUMET UET (12 mars), Arjeta Puca, themeluese dhe CEO e kompanisë TIMAK, tregoi rrugëtimin dhe gjetjen e suksesit në fushën e mbrojtjes, sfidat e hasura, këmbënguljen dhe punën e fortë për të qenë sot një emër që konkurron në tregun botëror.
Si ka qenë rrugëtimi i kompanisë dhe me çfarë sfidash jeni përballur?
Kompaninë unë e kam hapur në 2016-ën. Sfida më e madhe ka qenë fillimi dhe pastaj COVID-i. Unë kam jetuar shumë vite në Turqi dhe nuk dija gjuhën, si funksiononte biznesi, si ishin ligjet. Vij nga inxhinieria informatike dhe jo nga fusha e biznesit.
Dy vitet e para nuk kisha shitja, por aplikoja në çdo gjë. Fitova një tender ambulance dhe bashkëpunova me një komani, e cila e la në mes punën. Ngaqë isha me background inxhiniere vazhdova vetë dhe mësova si bëhen ambulancat. Pastaj më pyesnin nëse mund të bëja një makinë policie, zjarrfikëse. Në të gjitha thoshim po dhe bashkëpunonim me specialistët. U futëm kështu edhe në fusha të tjera.
Aplikuam në tenderat e huaja të Bashkimit Europian, Kombet e Bashkuar, NATO. Në të gjitha kemi marrë punë shumë të mira dhe i kemi si referencë. Unë e kam filluar kompaninë me një investitor, ngaqë nuk kisha para vetë. Viti 2020 ishte i vështirë pasi, investitoti u largua duke me thënë se kompania nuk do të ecë. Ishte koha e COVID-it, ku çdo gjë u ndal, kompanitë nuk bënin investim. Isha gati në falimentim. Por në këto sfida, ose do të ecësh, ose do të ndalesh. Kam punuar jashtëzakonisht shumë dhe pas asaj vështirësie kompania eci shumë shpejt.
Para një viti, kur isha duke diskutuar me disa miq të mi, që kanë bërë makina ushtarake, më pyetën nëse do të jem në Eurosatory 2024, një panair për mjetet ushtarake. Bëra kërkim dhe pashë që në këtë panair ishin 60 e ca shtete, ndërsa nga Shqipëria nuk kishte asnjë përfaqësues. Vitet e fundit, ngaqë ka qenë lufta e Ukrainës, Izraelit, kemi bërë shumë ambulanca të blinduara për atë zonë. Prodhimi i makinës ushtarake ka qenë gjithashtu ëndrra ime. E morëm si sfidë. Thamë: “Pse të mos e provojmë, maksimumi do të dështojmë”. Bëmë prototipin e parë dhe i vendosëm emrin "Shota". U zgjodh ky emër për heroinën tonë, por edhe për faktin se është kompani vajzash, 70%-80% e stafit janë vajza.
Kur shkuam në panair në Paris, kishim shumë stres. Kishim edhe kompleksin që aty merrnin pjesë kompani shumë të mira, shumëvjeçare. Por, morëm komente shumë të mira dhe kërkesa për bashkëpunime. Sivjet po mendojmë që të bëjmë edhe mjete të tjera. Duke qenë se këto kanë kosto, presim që të marrim kërkesë nga një shtet, që të bëjë parapagim dhe ne të vijojmë punën. Na marrin nga shtete të ndryshme në Europë edhe në Amerikën Latine, e kjo na jep një krenari shumë të madhe që emri i "Shota" është në të gjithë botë.
Cila ka qenë sfida më e madhe që keni hasur në prodhimin e këtij prototipi?
Në mjetet e mëparshme që kemi prodhuar, kemi marrë informacion nga specialistët, nga kompanitë e tjera. Te makinat ushtarake, askush nuk të jepte informacion. Kemi takuar shumë njerëz, shumë kompani, shumë specialistë. Nga ana tjetër, kishim kohë shumë të kufizuar, vetëm tre muaj për ta prodhuar dhe për ta dërguar në Paris.
Çfarë motivesh ju kanë shtyrë për të ndjekur këtë karrierë?
Nuk e kam filluar me prodhonim e ambulancave, por kam punuar si inxhiniere. Jeta ka marrë rrjedhën kështu. Kur u ktheva në Shqipëri nuk e kisha të qartë çfarë të bëja. Nuk e dija mirë gjuhën, nuk kisha network, nuk dija ku të aplikoja, kështu që hapa gjënë time dhe fillova të aplikoja në projekte.
Si e bëni përzgjedhjen e stafit që punon në kompaninë tuaj?
Kemi disa mënyra. Është ajo klasike me postimin e thirrjeve në rrjetet sociale, por kemi edhe mënyrën tjetër të bashkëpunimit me shkollat. Kemi bashkëpunuar me shkollën e mesme teknike “Gjergj Canco”. Jemi munduar të marrim nga pjesa teknike sa më shumë vajza, sado që është shumë e vështirë. Kemi pasur saldatore, elektriciste. Por kemi dëshirë të bashkëpunojmë me universitetet, edhe pse në Shqipëri nuk aplikojnë. E kemi të vështirë t’i gjejmë. Dua t'iu them se për të gjithë ka vend në kompaninë tonë, në pjesën e shitjes, pjesën e marketingut.
A ju ka ndihmuar edukimi si inxhiniere informatike në punën që bëni?
Pavarësisht pjesës teknike, inxhinieria ka të bëjë edhe me dhënien e zgjidhjes së një problemi. Unë, edhe kur kam qenë në universitet, kam punuar në punë që s’kishin lidhje me studimet. Nuk isha qejf të rrija pa bërë gjë. Kam aplikuar në çdolloj praktike. Një vit kam qenë në një zyrë turistike, kam lëvizur në shumë shtete dhe kam marrë pagesa të vogla nga intenrshipet. Ideja ishte që të mësoja gjëra të reja. Universiteti, sigurisht, më ka ndihmuar shumë. Kur kam mbaruar studimet kam aplikuar në Gjermani dhe kam punuar dy vjet si inxhiniere. Gjithashtu, kam punuar për 6 muaj në Japoni. Kanë qenë të gjitha eksperienca shumë të mira. Prandaj, mendoj se duhet të jeni në lëvizje, s’ka rëndësi programi i studimit. Vazhdimisht duhet të punoni dhe të mësoni gjëra të reja.
Janë këto eksperienca që ju thatë, të cilat i ndihmojnë studentët për të vijuar rrugëtimin e tyre, për gjëra më të mëdha. Por sot ka një mentalitet te të rinjtë për t’i marrë gjërat më lehtë, më thjeshtë.
Mbase jeni mësuar që me teknologjinë gjërat ecin më shpejt. Se në kohën tonë, unë gati po bëhem 40-vjeçe, nuk ka qenë kjo shpejtësi dhe ne i kemi marrë gjërat më avash. Si natyrë, kam qenë shumë kurioze, jo vetëm te studimet, edhe te punët që më janë dhënë, e kam dashur të mësoj më shumë. Është shumë e rëndësishme që të mësoni. Nisur nga eksperienca ime, deri në moshën 30-vjeçe, nuk isha e përqendruar se sa lekë fitoj, por sa shumë mësoj. Kjo ka benefite, pasi e plotëson veten dhe pas kësaj moshe je gati ta përballosh jetën. Nëse fokusoheni që në të 20-at te paraja, nuk do të keni kohë të mësoni.
Jeni një personazh motivues për të gjithë. Dua t'iu bëj dy pyetje. E para, ku operon kompania juaj dhe a keni një linjë të automatizuar të proceseve për montimin e mjeteve? E dyta, kush është sfida e radhës, drejt kujt fushe do të shkoni?
Kompania jonë është në Tiranë dhe nuk kemi procese të automatizuara, pasi jemi ende një kompani e vogël. Mbase në një të ardhme do të investojmë edhe aty, kur të kemi më shumë automjete. Synimi ynë është që të përqendrohemi te fusha e mbrojtjes dhe duam të sjellim modele të ndryshme. Kemi qejf, përveç "Shota", të sjellim edhe modelin e makinave që quhen Armoured Vehicles.
Jeni drejtuese e një kompanie, që operon në një fushë burrash. Sa jeni hasur me diskriminim gjinor dhe a u ka penguar kjo gjë?
Në fillim po, pasi nuk më njihnin. Kur ulesha me kolegët e mi meshkuj, për pyetjet teknike u drejtoheshin atyre. U përgjigjesha unë gjithmonë, dhe pas disa pyetjeve, drejtoheshin nga unë. Po ashtu, janë më dyshues për suksesin e grave, si kanë arritur aty. Kur të njohin, e dinë që ti e ke krijuar gjithçka vetë. Do kohën e vet kjo gjë, pavarësisht se të acaron e të mërzit në fillim. Por në organizatat e huaja, ka shumë benefite nëse një kompani menaxhohet nga një grua.
Përveç mjeteve ushtarake, a keni si opsion prodhimin e një arme shqiptare?
Është si opsion, por duhet të presë radhën. Tani jemi përqendruar shumë te pjesa e automjeteve sepse duam të kemi prodhime të sofistikuara të mbrojtjes. Dua të bëjmë gjëra të shkëlqyera, që të kemi emër në treg me "Shota". Kjo do 4-5 vite, e më pas do të mendojmë për mjetet ushtarake detare.
Edhe unë kam dy pyetje për ju. Së pari, si i siguroni financimet, dhe së dyti, si ka qenë ecuria e shitjeve?
Financimin e kemi siguruar në dy mënyra. E para është që marrim parapagim, pasi 50% e klientëve tanë janë privat dhe me to bëjmë blerjen e materialeve. Nëse nuk mjafton, marrim overdraft. Duke u shtuar projektet, janë rritur edhe të ardhurat të cilat i investojmë. Siç përmenda, në fillim kompania kishte investitor. Pas shkëputjes, i pagova investimet që ai kishte bërë, dhe mora kredi për të vazhduar.
Sa i përket shitjeve, ne çdo vit kemi gati 200% rritje si kompani. Aktualisht po bashkëpunojmë me më shumë se 20 shtete. Ambulancat e fundit janë për në Karaibe, pra deri atje do të shkojnë produktet Made in Albania.
Duke qenë se jeni drejtuese e suksesshme, cilat mendoni se janë karakteristikat që duhet të ketë një lider i tillë?
Duhet të jetë shumë këmbëngulës. Guximi dhe këmbëngulja janë thelbësore. Vazhdimisht merr komente dhe dyshon nëse je duke bërë gjënë e duhur. Edhe kompania nuk do të ecë gjithmonë mirë, prandaj duhet të jeni këmbëngulës te ideja juaj. Po fillove të dyshosh, do ta kesh të vështirë ta gjesh rrugën.
Çfarë mesazhi mund t’iu japësh studentëve që ke përballë në këtë auditor?
Mund të jeni shumë të aftë, shumë të mirë, shumë të shkathët, por kjo nuk ju diferencon. Për mua, diferencën e bën guximi. Te gjerat që kam bërë, kam qenë e frikësuar, por i kam bërë. Kjo më ka diferencuar. Kam parë shumë njerëz të aftë, mbase edhe më shumë se unë, që nuk kanë guxuar dhe kanë mbetur aty ku kanë qenë. Kështu që, guximi të çon përpara. Shumë mirë t’i keni të gjitha aftësitë, por pa guximin deri diku mund do të shkoni. Kështu që guxoni, sado që të keni frikë!/L.P./