Nga prof. asoc. dr. Selami Xhepa*
Gjatë përgatitjeve për këtë konferencë vjetore, kemi hasur në shumë ide konkurruese për të zgjedhur titullin e punës. Ndërkohë që bota po ndryshon me një shpejtësi të paparë më parë, ne mund të ishim përqendruar në shumë tema interesante që variojnë nga gjeopolitika, siguria, mjedisi, energjia, teknologjia dhe demografia, etj.
Megjithatë, kishim shumë arsye të mira për të ftuar studiues që të diskutojnë çështjet e integrimit në BE dhe zhvillimet e pritshme që lidhen me të, të cilat pritet të kenë një fuqi transformuese për shoqërinë shqiptare, politikën dhe ekonominë e saj.
Arsyeja më e rëndësishme është se Shqipëria ka hapur zyrtarisht dy klasterët e parë të kapitujve: Klasteri 1 mbi Themelet dhe Klasteri III, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, dhe është e gatshme të hapë Klasterin II, mbi Tregun e Brendshëm. Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria është gati të hapë negociatat për të gjithë klasterët, me ambicien për të përmbyllur procesin deri në fund të vitit 2027. Në përfundim të këtij procesi, ndikimi në ekonomi dhe shoqëri do të jetë aq i madh sa të transformojë modelin “business as usual” që kemi ndjekur deri tani. Roli i kërkimit shkencor për të eksploruar paraprakisht ndikimet në industri dhe tregje të caktuara, sektorë dhe grupe shoqërore, është jo vetëm i kohës por edhe i domosdoshëm. Ky proces ndryshimi institucional është aq i gjerë sa mund të krahasohet me ndryshimet e përjetuara në fillim të tranzicionit tonë drejt një shoqërie demokratike dhe ekonomie tregu.
Nga ana tjetër, ndryshime që disa muaj më parë as nuk i imagjinonim, po trondisin të gjithë rendin ndërkombëtar. Lufta tregtare që filloi javën e kaluar, do të rimodelojë hartën e biznesit ndërkombëtar; me rrugët tregtare dhe të investimeve që pritet të devijohen në një shkallë të tillë që do të shkaktojnë kaos në tregjet globale. Derisa të vendoset një ekuilibër i ri, ekziston një rrezik real që politikat ekonomike nacionaliste të çojnë në ulje të mirëqenies dhe destabilizim të marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare. Ekonomia botërore ka lulëzuar gjatë 80 viteve të fundit falë regjimeve të hapura tregtare dhe investimeve dhe përfitimeve të paqes. Tani të dyja janë të kërcënuara.
Ndërtimi i një ekonomie konkurruese nuk ka si parakusht politikat proteksioniste; përkundrazi, ekonomia botërore ka pasur sukses mbi modelin e një rendi ekonomik liberal dhe të hapur. Revolucioni industrial ka arritur një sukses të pashembullt në historinë moderne pa u përfshirë në luftëra tregtare. Bashkimi Evropian gjithashtu po përpiqet të fitojë epërsi konkurruese në industritë e reja dhe teknologjitë kritike. Është fakt që një garë e ashpër po zhvillohet mes BE-së, SHBA-së dhe Kinës, ku secila palë përpiqet të ruajë sovranitetin mbi teknologjitë e reja.
Raporti mbi konkurrueshmërinë, i njohur si Raporti Draghi, i publikuar vitin e kaluar, trajton këto shqetësime dhe po shërben si një mjet për ndryshime politike në BE, veçanërisht duke shtyrë për reforma në politikat e Kërkimit dhe Zhvillimit dhe inovacionit, pa përdorur rritje tarifash që mund të rrezikojnë një përshkallëzim të luftës tregtare. Modeli i ri i rritjes së Evropës duhet të pajtojë jo vetëm tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital, por edhe prioritetet për sigurinë dhe mbrojtjen në kontekstin e zhvillimeve të reja. Ka shumë kërkesa sfiduese dhe urgjente për ndryshime politike në Evropë dhe siç shkroi dikur Jean Monnet, një nga themeluesit e BE-së: “Gjithmonë kam besuar se Evropa do të ndërtohej përmes krizave, dhe se ajo do të ishte shuma e zgjidhjeve të tyre.”
Nga këndvështrimi i një ekonomie të vogël dhe të hapur në zhvillim si Shqipëria, integrimi evropian shërben si motor për ndryshime pozitive dhe reforma duke zbutur kërcënimet e jashtme. Përvoja nga vendet e reja anëtare të BE-së, veçanërisht nga shtetet e vogla si shtetet balltike, tregon se integrimi mund të përmirësojë ndjeshëm konkurrueshmërinë e vendeve të reja anëtare. Institucione më të përmirësuara dhe sundimi i ligjit, konkurrenca e lirë dhe qasja më e gjerë në treg, do të mundësojnë efikasitet më të lartë të faktorëve të prodhimit, çka shtyn ekonominë drejt ritmeve më të larta të rritjes.
Në fund, në këtë sesion plenar, do të doja të shpreh mirënjohjen tonë për dy projektet Jeanne Monnet që kemi zbatuar gjatë tre viteve të fundit. Përmes këtyre dy projekteve, patëm mundësinë të rishikojmë dhe pasurojmë kurrikulat tona mbi historinë dhe institucionet e BE-së dhe të zhvillojmë diskutime në të gjithë vendin, veçanërisht me brezin e ri, mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në dhe perspektivën për t’u bërë anëtare e plotë e saj. Kemi gjithashtu projekte të tjera në fazë zbatimi dhe shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me shumë projekte të tjera dhe partnerë nga universitetet evropiane.
*Fjala e plotë e presidentit të Universitetit Europian të Tiranë, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, gjatë seancës plenare të Konferencës Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare, edicioni XII