Nga Ervis Iljazaj
Megjithëse slogani i Partisë Demokratike është ‘’Shqipëria Madhështore’’, fushata e saj është më shumë një fushatë me këmbë në tokë. Retorika dhe premtimet e saj ngjajnë më shumë me një Shqipëri normale se sa madhështore. Asgjë nuk e lidh sloganin me llojin e fushatës që Partia Demokratike po zhvillon. Ndoshta më mirë do të ishte slogani për një ‘’Shqipëri Normale, por ky është një tjetër diskutim. Ose ndoshta, një ‘’Shqipëri Normale’’ është gjithashtu një ‘’Shqipëri Madhështore.’’
Gjithsesi, këtë duhet ta shpjegojnë ata që kanë zgjedhur këtë slogan.
Tipari kryesor i Partisë Demokratike, në çdo takim, në çdo fjalim apo në çdo aktivitet është padyshim arsyeja. Një fushatë që bazohet te problematikat konkrete që ka shoqëria shqiptare. Edhe pse premtimet janë shpeh herë kontradiktore, Partia Demokratike e ka fokusuar fushatën e saj te programi. Duket sikur ka një direktivë të përgjithshme që çdo kandiat i PD të flasë vetëm për programin. Në këtë kuptim ajo duket në pamje të parë një fushatë e drejtë.
Kjo gjë u vu re dhe në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike në 11 prill. Një hapje klasike, ku folën për problemet e tyre kategori të ndryshme shoqërore si fermerë, të rinj apo familjarë. Dhe në fund, fushata u mbyll me fjalimin e liderit të saj Sali Berisha, ku dhe fjalimi i tij u përqendrua te problematikat e shoqërisë shqiptare. Madje të nesërmen kishte një tubim ku u parqitën shtyllat kryesore të programit të saj. Deri më tani, fushata e Partisë Demokratike duket një fushatë si gjitha të tjerat, pa asnjë risi në kuptimin e komunikimit apo organizimit. Një fushatë bazike që përbëhet nga elementë tradicionalë të saj.
Nga ana tjetër, pra nga fushata e PS, ka një muzikë komplet tjetër. Dhe fjala muzikë nuk është thjeshtë metaforë. Sepse në hapjen e saj, muzika ishte menyja kryesore. Hapja e fushatës së Partisë Socialiste nuk kishte asnjë premtim, asnjë diskutim mbi problematikat e shoqërisë shqiptare, por vetëm muzikë dhe fjalim emocional. Si të thuash, ishte e gjitha formë dhe pak përmbajtje.
E vetmja përmbajtje e kësaj fushate është premtimi që Edi Rama po u bën shqiptarëve; atë të pasaportës europiane. Pra, një premtim i cili është një ëndërr 30 vjeçare e shqiptarëve. Dhe Rama këtë ëndërr po u thotë që do t’ja u bëjë realitet brenda vitit 2030. Edhe pse nuk varet vetëm nga ai, Edi Rama e di fare mirë që njerëzve duhet t’iu premtosh një ëndërr, dhe këtë po bën gjatë kësaj fushate. Po të shikohet me kujdes, nga Edi Rama dhe Partia Socialiste gjatë fushatës nuk flitet as për arsimin, as për shëndetësinë, as për ekonominë apo çështje të tjera konkrete, por vëtëm për projekte të mëdha. Ai u thotë shqiptarëve se do të jenë qytetarë të Europës, u flet për miliona turistë apo projekte madhore të Shqipërisë 2030. Ndërsa diasporës u thotë se duhet të ndihen krenarë për Shqipërinë, ku vite më parë ata ndiheshin me turp që ishin të tillë, kurse sot e thonë me plot gojë dhe me krenari.
Në fjalimin e tij të hapjes së fushatës, Edi Rama kaloi nëpër momente historike të shqiptarëve, në poezi apo heronjë që kanë shoqëruar këtë tokë. Dhe në fund, e mbylli historinë me vendin që i takon Shqipërisë, atë të pjestares me të drejta të plota në Europë.
E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një fushatë emocionale që Rama po zhvillon kësaj here. Ai po luan me emocionet e shqiptarëve, me historinë dhe vuajtjet e saj, si një përrallë që do të ketë një fund të lumtur vetëm me të dhe Partinë Socialiste. Përveçse estetikës, një element që Rama e ka përdorur shumë gjatë karrierës së tij, tashmë është futur në sferën e emocioneve. Dhe fushata e tij është tërësisht emocionale.
Në këtë kuptim kemi të bëjmë me dy fushata komplet të ndryshme. Kush do të fitojë nga këto, arsyeja apo emocionet, kjo mbetet për t’u parë. Por, një gjë është e sigurt, gjykimi emocional është më i shpejtë se sa ai racional.