Rikthimi në Shqipëri pas më shumë se dy dekadash nuk ishte pa surpriza. Tirana e atyre viteve nuk kishte lidhje me atë që gjeti në 2025-ën. Por më i surprizuar mbeti nga cilësia dhe përparimi që kanë pësuar universitetet dhe arsimi i lartë në vendin tonë.
Profesor i Asociuar i politikës dhe historisë së Evropës Lindore, në Universitetin e Bolonjës, Francesco Privitera, ishte i ftuari special në Konferencën Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare, zhvilluar për të dymbëdhjetin vit radhazi nga Universiteti Europian i Tiranës.
Ai mori pjesë në seancën plenarë të konferencës ku foli për bashkëpunimin me UET, si dhe vizitoi kampusin, njohu ambientet dhe ndoqi nga afër prezantimet e profesorëve dhe doktorantëve të paraqitura në pesë panele, sipas fakulteteve përkatëse të universitetit.
“Kjo është hera ime e parë që marr pjesë në Ditët e Studimeve Shqiptare. Jam shumë i lumtur dhe ishte një mundësi e shkëlqyer për mua. Mësova shumë... U impresionova gjatë prezantimeve shkencore nga cilësia akademike dhe shkencore si dhe nga profesorët dhe studentët këtu”, shprehet prof. Privitera.
Me mbështetjen e Universiteti të Bolonjës, UET zhvilloi në datat 10-11 prill edicionin e XII-të Ditët e Studimeve Shqiptare, eventi më i rëndësishëm për këtë universitet, por edhe për kërkimin shkencor dhe cilësinë akademike në vend. Mbi 200 kërkues shkencorë, 41 prej të cilëve nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Holanda dhe vende të tjera evropiane, prezantuan mbi 95 punime shkencore.
Tematika e këtij edicioni e kishte fokusin në nxitjen e inovacionit në kuadër të agjendës së re të konkurrueshmërisë në Bashkimin Europian. Dihet tashmë që Shqipëria ka nisur negociatat dhe ka çelur disa grup-kapituj, teksa ka nisur që hapja e gjithë grup-kapitujve të bëhet brenda 2025-ës.
Universiteti i Bolonjës dhe prof. asoc. Francesco Privitera, i cili është njëkohësisht drejtor i Institutit për Europën Qendrore Lindore dhe Ballkanin, prej tre vitesh ka një bashkëpunim më të ngushtë me Universitetin Europian të Tiranës, në kuadër të projektit Jean Monnet Center of Excellence, financuar nga Bashkimi Europian. Projekti i titulluar “EU FUTUR- Përmirësimi i njohurive mbi procesin e integrimit në BE tek studentët universitarë në Ballkanin Perëndimor" u përmbyll me një bilanc pozitiv dhe frytdhënës në muajin prill. Përveç UET dhe Universiteti të Bolonjës, partnerë në projekt ishin edhe universitete nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.
Lidhur me eksperiencën e këtij bashkëpunimi, prof. Privitera thotë se ky projekt ishte dobiprurës për zgjerimin e network-ut. “U befasuam pozitivisht, jo për të thënë se ka një paragjykim, por për shkak se gjetëm një nivel efikasiteti që nuk mund ta gjeni ndonjëherë në as në universitete ose vende të pajisura më mirë, brenda Bashkimit Evropian”, nënvizon profesori.
Ashtu si tema e Konferencës Ndërkombëtare, edhe fokusi i projektit ishte te promovimi i njohurive mbi tre aspekte të rëndësishme të integrimit në BE, të lidhura me njohuritë e përgjithshme, kapitujt e integrimit në BE dhe procesin pas anëtarësimit. Integrimi në BE për profesorin mbetet një proces i ndërlikuar, për shkak edhe të çështjeve të brendshme të vetë unionit duke shtyrë kështu anëtarësimin përfundimtar të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përtej çështjeve që kanë të bëjnë me ekonominë, prof. Francesco Privitera thotë se integrimi ka të bëjë edhe me ndërlidhjen mes shoqërive për të mirëpritur të rinjtë në union dhe për të lehtësuar integrimin e plotë të tyre në sistemin evropian.
Sipas tij, një rol thelbësor këtu luajnë universitetet “për t'u bërë një ndërmjetës në proces dhe për të punuar në një mënyrë pozitive”.
“Përmes sistemeve arsimore, ne gjithashtu mund të kapërcejmë stereotipet, paragjykimet, si të thuash barrierat, barrierat kulturore që mund të vonojnë në një farë mënyre vetë procesin. Kjo është një detyrë e shkëlqyer, do të thosha, dhe, sa më shumë të jemi në gjendje të zbatojmë rrjetet arsimore, aq më shumë do ta përshpejtojmë procesin, padyshim.”
Përveç projektit Jean Monnet Center of Excellence, UET përmbylli edhe një projekt të dytë 3-vjeçar, Jean Monnet Chair, drejtuar nga prof. asoc. dr. Selami Xhepa, me fokus në integrimin e agjendës evropiane në kurrikulën universitare, e më specifikisht përvetësimin e njohurive në çështjet financiare me theks në politikën monetare, tregjet dhe sistemin bankar.