Universitet

Zhvillohet WORKSHOP-i i parë me universitetet jopublike për ndikimin e studentëve ndërkombëtarë në Shqipëri

Shkruar nga Liberale

Zhvillohet WORKSHOP-i i parë me universitetet jopublike për ndikimin e

Ndikimi akademik, ekonomik dhe kulturor i studentëve ndërkombëtarë në Shqipëri ishte në qendër të një workshop-i për stafet e universiteteve jopublike. I iniciuar nga Instituti Liberal Pashko, aktiviteti u zhvillua të enjten (10 prill) në Kompleksin Panorama, pjesë e të cilit u bënë ekspertë dhe njohës të mirë të çështjeve të arsimit të lartë në vendin tonë.

Universitetet jopublike e kanë në fokus të diskutimit dhe ambicieve të tyre rritjen e numrit të studentëve të huaj, për shkak se Shqipëria mbetet vendi i fundit në rajon, me 2 mijë studentë të huaj. Ndërkohë që vendi ynë ka pasur një bum sa i përket turizmit detar, atij dentar apo klinik, turizmi studentor ende nuk po tejkalon burokracitë dhe proceset që ngadalësojnë këtë hap madhor për arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimin e plotë të institucioneve.

Në hapje të aktivitetit, themeluesi i Institutit Liberal Pashko, Henri Çili, dhe eksperti i arsimit të lartë, Agim Aliaj, folën për rëndësinë e trajtimit të kësaj çështje në një moment të rëndësishëm për vendin tonë, për benefitet jo vetëm për vetë universitet por edhe për përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë.

Trajnimi u zhvillua nga disa përfaqësues të universiteteve jopublike, të cilët përmes sjelljes së praktikave më të mira dhe më efektive në institucionet e tyre, dhanë udhëzime për hapat e mëtejshëm që duhet të ndiqen në këtë sektor.
Trajnerët e këtij workshop-i të parë ishin: Agron Hoxha, ekspert për rekrutimin e studentëve ndërkombëtar; Redi Shtino, ekspert i arsimit të lartë, ish-zëvendës ministër i Arsimit. 

Ky workshop vjen në vazhdën e angazhimit që kanë marrë universitetet jopublike për ndërkombëtarizimin dhe rritjen e numrit të studentëve të huaj. Vitin e kaluar, rreth 12 institucione të arsimit të lartë jopublik krijuan Ligën e Universiteteve “Gjon Durrahium” dhe organizuan, më 12 dhjetor 2024, forumin e parë për studentët e huaj. Ata parashtruan kërkesat e tyre dhe nevojën e hedhjes së këtij hapi para kryeministrit Edi Rama dhe tre ministrave të qeverisë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH