Universitet

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për neuroshkencën

Shkruar nga Liberale

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Kur ndeshesh me studimin e saj, të krijohet bindja se je duke lexuar punimin e ndonjë reviste shkencore. Organizimi logjik, mirë strukturimi përmbajtësor dhe vizual, përplotësimi me elementë shkencorë, anketime dhe referenca, të përforcojnë besimin se ke të bësh me një student të përkushtuar. Edhe pasi e takon, nuk ke të dhëna kokëforta për t’u lëkundur nga kjo ide. Vetëm kur ajo prezantohet e njihesh me të vërtetën, mund të imagjinosh potencialin, ambicien dhe pasionin që qëndron pas.

Era Rakipllai është nxënëse ekselente e kolegjit “Turgut Ozal” në Tiranë. Ajo ndjek klasën e X-të dhe ka një pasion të përhershëm, siç ajo e quan, për biologjinë. Mund të duket e rrallë për një nxënëse të shkollës së mesme, por Era ka hedhur që tani themelet e rrugës profesionale, duke publikuar artikujt e saj në platformat online si edhe duke ndërmarrë nisma të shumta për të komunikuar shkencën, deri edhe në aulat universitare.

Pas prezantimit në shkollë dhe me ndjekësit në blogun dhe Website-n e krijuar prej saj, ajo u bë pjesë e një Workshop-i në Universitetin Europian të Tiranës me tematikë menaxhimin e stresit, ku kërkimin dhe gjetjet i ndau me nxënës të tjerë nga gjimnazet e Tiranës, por edhe me studentët dhe pedagogët e pranishëm. Edhe pse e mësuar me kompeticionet, konkurset, aktivitetet jashtëshkollore, nuk i fshehu emocionet e të gjendurit në auditorin e një universiteti.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Era ka mundur të realizojë që në nëntëvjeçare dhe tashmë në vitin e parë të shkollës së mesme shumë nga aspiratat e saj në funksion të zgjerimit të njohurive dhe shtimit të eksperiencave. Megjithatë ka vendosur që këtë pasion të sotëm, dhe profesion të ardhshëm, të lidhur me mjekësinë dhe neuroshkencën, të mos e mbajë dhe kultivojë vetëm për vete, por t’u japë mundësinë bashkëmoshatarëve të saj që të njohin dhe të mësojnë më shumë për organizmat dhe jetën. Për këtë qëllim ka hapur një Website ku mban edhe blogun e saj, duke dëshmuar qartë ambicien për të ndikuar në jetën e të rinjve, përmes ndarjes së njohurive specifike, dhënies së këshillave për çështje të ndryshme të përditshmërisë dhe nxitjen e dëshirës drejt biologjisë dhe neuroshkencës.

Ajo shprehet se “Qëllimi kryesor i hapjes së një blogu dhe një “Website”- i mbi Komunikimin e Shkencës është që të sensibilizojë grupmoshat e ndryshme dhe veçanërisht bashkëmoshatarët e mi në lidhje me tema që kanë të bëjnë me shëndetin dhe mirëqënien”. Era është mjaft aktive dhe i shfrytëzon të gjitha platformat për të komunikuar njohuritë shkencore dhe gjetjet e kërkimeve të saj për shumë tema të lidhura me biologjinë por jo vetëm, veçanërisht për ata që kanë interes për të mësuar më shumë dhe për të patur një karrierë në të ardhmen në këtë fushë, si dhe ajo vetë.

Angazhimi i saj i fundit lidhet me projektin “Make a Change” dedikuar nxënësve të shkollave të mesme, si një mundësi që vetë të rinjtë krijojnë për të bërë një ndryshim ose ndikim në shoqëri, gjë që për nxënës të angazhuar dhe aktivë si Era vjen krejt natyrshëm në saje të iniciativave të shumta që ndërmerr jo vetëm brenda shkollës dhe komunitetit të saj, por edhe më gjerë.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Dëshira e saj është t’i promovojë këto iniciativa, ndaj fton të rinjtë që të vizitojnë Website-in e krijuar prej saj, ku është publikuar edhe studimi që ka bërë mbi “Strategjitë e Menaxhimit të Stresit në bazë të Neuroshkencës”, që mund të aksesohet me anë të linkut të mëposhtëm: https://erarakipllari5.wixsite.com/biologyhub.

Ky blog është gjithashtu një portofol punimesh dhe studimesh që ajo ka filluar të kryejë. I pari me titull “Vështrim i përgjithshëm i stresit: strategjitë e menaxhimit të neuroshkencës për përgjigjen ndaj stresit”, është një kombinim midis teorisë dhe praktikës. Përmes shfletimit të literaturës së huaj, pasi leksionin e zhvilloi në një anglishte të rrjedhshme dhe në terminologji shkencore, bën një sqarim të përmbledhur të stresit, llojeve të tij, faktorëve që ndikojnë, për të kaluar më pas te strategjitë e neuroshkencës për menaxhimin sa më efektiv të stresit, nga ato më tradicionalet dhe të hershmet deri te metodat më bashkëkohore.

Duke u mbështetur mbi këtë zbërthim teorik të çështjes, Era ka ndërtuar një pyetësor dhe ka bërë një anketim me bashkëmoshatarët në kolegj, për të arritur në konkluzione mjaft me vlerë, për vetë nxënësit por edhe institucionet e këshillimit psikologjik, të cilët mund të kuptojnë më së miri se cilat janë nevojat e të rinjve. Era thotë se shumica e nxënësve janë disi të njohur me strategjitë e neuroshkencës për menaxhimin e stresit, por ekziston nevoja e qartë për ndërgjegjësim dhe edukim më të madh rreth këtyre metodave.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Gjatë prezantimit të mbajtur në gjuhën angleze në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, Era ndau me bashkëmoshatarët dhe të pranishmit edhe metodën e saj të preferuar për të menaxhuar stresin, që është muzika. Si një pianiste e kultivuar që prej moshës 6 vjeçare, nën mentorimin e mjeshtres së pianos, Nora Çashku, është më se e kuptueshme që e përzgjedhura e saj do të ishte muzika klasike, e konkretisht Vivaldi me “Katër stinët”. Udhëtimet dhe librat janë pasionet e saj të tjera, që ajo thotë se nuk ja zbehin por ja përforcojnë dashurinë për shkencën, që rritet dita ditës dhe ia bën më të qartë pamjen e së nesërmes.
Një pjesë nga studimi i saj, të cilin e ndau gjatë workshopit, po e publikojmë edhe në faqet e Liberale:

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Fragment nga artikulli studimor
Strategjitë Bazë të Neuroshkencës mbi Stresin dhe Rezultatet e Kërkimit me Nxënësit në Shkollat e Tiranës

Nga Era RAKIPLLARI

Një nga gjetjet më të rëndësishme të këtij studimi është niveli i njohjes që kanë nxënësit me strategjitë e menaxhimit të stresit me bazë në neuroshkencë. Ndërsa shumica (51.6%) raportuan njohje të pjesshme, 38.7% nuk kishin aspak njohuri, dhe vetëm 9.7% ishin shumë të njohur me këto metoda. Kjo tregon se, megjithëse ekziston një ndërgjegjësim i përgjithshëm për menaxhimin e stresit, mungon njohja e thelluar për bazën neuroshkencore të këtyre praktikave. Kjo mund të jetë tregues i nevojës për edukim shtesë mbi mënyrat e aplikimit të strategjive neuroshkencore në jetën e përditshme për të përmirësuar përqendrimin dhe qetësinë mendore.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Vështirësitë në Ruajtjen e Fokusit

Vështirësitë në ruajtjen e fokusit u shpërfaqën në forma të ndryshme, me shpërqendrimet nga rrjetet sociale dhe zhurma si faktorët kryesorë, të ndjekura nga humbja e motivimit dhe lodhja mendore. 6.5% përmendën “multitasking” si pengesë, duke përforcuar gjetjet nga literatura që sugjeron se ndarja e vëmendjes në disa detyra njëherësh redukton performancën konjitive. Kjo është në përputhje me gjetjet e mëparshme që tregojnë ndikimin negativ të shpërqendrimeve digjitale dhe mbingarkesës mendore në përqendrim dhe produktivitet.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për


Strategjitë për Menaxhimin e Stresit

Në lidhje me mënyrat e përballimit të stresit, shumica e nxënësve përdorën teknika shpërqendruese si dëgjimi i muzikës ose përfshirja në aktivitete të tjera. Aktiviteti fizik u raportua si strategji nga një përqindje më e vogël por e rëndësishme, duke reflektuar rolin e tij të dokumentuar në uljen e stresit dhe përmirësimin e shëndetit mendor (Salmon, 2001). Gjithashtu, elementë si feja, kërkimi i qetësisë në ambiente të izoluara dhe mbështetja sociale tregojnë larmishmërinë dhe personalizimin e qasjeve që nxënësit përdorin për t’u përballur me stresin.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Ndikimi i Stresit në Performancën Akademike

Rezultatet treguan se stresi ka ndikim të madh në performancën shkollore për shumicën e nxënësve – 61.3% raportuan efekt negativ. Megjithatë, disa nxënës deklaruan se stresi i shtynte drejt arritjeve më të mira duke rritur përpjekjen dhe angazhimin. Ky kontrast përputhet me konceptin se stresi, në disa raste, mund të funksionojë si motivues, por për shumicën, përjetimi i stresit çon në sjellje shmangëse dhe ndjesinë e të qenit të mbingarkuar (Lundberg, 2004).

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Strategjitë e Preferuara me Bazë Neuroshkencore

Kur u pyetën për strategjitë e preferuara me bazë neuroshkencore për uljen e stresit, shumica identifikuan aktivitetin fizik si më efektivin, duke reflektuar konsistencë me kërkimet që theksojnë ndikimin pozitiv të tij në reduktimin e stresit dhe funksionin konjitiv (Hoffmann et al., 2014). Gjithashtu, nxënësit shfaqën interes të konsiderueshëm për të mësuar më shumë rreth teknikave të tjera si relaksimi, ushtrimet e trurit dhe teknikat e ndërgjegjësimit, duke sugjeruar hapësirë për ndërhyrje edukative të strukturuara dhe praktike.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për

Strategjitë Personale për Balancim Mendor

Nxënësit ndanë një sërë strategjish individuale për të ruajtur balancën mendore dhe produktivitetin. Disa përmendën planifikimin dhe qëndrimin pozitiv, ndërsa të tjerë gjetën qetësi në qëndrimin “më i qetë” ndaj jetës. Praktika si lutja, leximi dhe shikimi i filmave ishin gjithashtu të pranishme. Kjo shumëllojshmëri nënvizon rëndësinë e qasjeve të personalizuara, të cilat duhet të marrin parasysh edhe preferencat individuale.

Gjumi dhe Stresi

Mungesa e gjumit rezultoi të jetë një faktor kyç – 51.6% raportuan se flenë vetëm 5–6 orë gjatë ditëve të shkollës. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh rëndësinë që ka gjumi në rregullimin e stresit dhe funksionin njohës. Literatura mbështet këtë lidhje, duke sugjeruar se mungesa e gjumit mund të përkeqësojë ndjeshëm reagimin ndaj stresit dhe të ndikojë në rezultatet akademike (Walker, 2017).

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për


Mindfulness(Grounding ose Tokëzimi) dhe Teknikat e Relaksimit

Përkundër efektivitetit të provuar të teknikave të ndërgjegjësimit dhe relaksimit, shumica e nxënësve raportuan se nuk i praktikojnë rregullisht këto metoda. Vetëm një përqindje e vogël tregoi përfshirje të vazhdueshme në praktika të tilla. Kjo paraqet një mundësi të qartë për ndërhyrje edukative që mund të ndihmojnë në integrimin e këtyre teknikave në jetën e përditshme të nxënësve.

Era Rakipllari, gjimnazistja ekselente që publikon për


Kufizimet e Studimit dhe Kërkimi i Ardhshëm

Megjithëse studimi ofron njohuri të vlefshme mbi menaxhimin e stresit tek nxënësit, ai përballet me kufizime si përfaqësimi jo i plotë i popullatës dhe subjektiviteti i të dhënave të vetë-raportuara. Studime të ardhshme duhet të analizojnë efektivitetin e strategjive të veçanta me bazë neuroshkencore në kushte reale shkollore, si dhe ndikimin e tyre afatgjatë në mirëqenien mendore dhe performancën akademike.

Përfundim

Studimi thekson sfidat kryesore që hasin nxënësit në përpjekjet për të menaxhuar stresin dhe për të ruajtur fokusin. Edhe pse ekziston njëfarë njohurie për strategjitë me bazë në neuroshkencë, është e qartë që kërkohet edukim më i thelluar dhe qasje më të gjithëanshme. Strategjitë efektive përfshijnë gjumin cilësor, aktivitetin fizik dhe praktikat e relaksimit. Zhvillimi i ndërhyrjeve të personalizuara që përshtaten me nevojat dhe jetesën e nxënësve është thelbësor për përmirësimin e performancës dhe shëndetit të tyre mendor

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH