Letërsi

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/ Apologjia e një arratisjeje të dëshpëruar

Shkruar nga Liberale

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/

Të jesh i lirë nuk është aq e vështirë sa besohet. Supozohet vetëm një kusht: që liria të vlejë më shumë se jeta.- Aleksandër Sollzhenicin

Krahas avashllëkut të autoriteteve dhe mospërgatitjes së tyre për të përballuar një emergjencë kësi përmasash dhe të papritur, lindi në mënyrë spontane solidariteti i banorëve të Puljes për të ndihmuar dhe pritur me mijëra refugjatë, gjë që bëri shumë përshtypje. Ishin të lodhur ata ikës dhe të palarë dhe të rraskapitur dhe të uritur, të uritur për gjithçka, njerëz që nuk duronin sa ta shihnin me sytë e tyre ate njëmende italiane, për të cilën “pamjet qe jepte televizioni italian nga burgjet italiane, dukeshin ar në krahasim me krimin e mjerë të Tiranës dhe të burgjeve shqiptare, ku puna e detyruar zëvendëson të drejtën për të studiuar” (121).

Kishin kapërcyer detin, u kishin shpëtuar të shtënave të policisë në stere dhe atyre te rojeve detare në det të hapur; kishin lënë prapa krahëve një jetë të vështirë por edhe afekte të paharrueshme. Nuk ndiheshin lypësa dhe as fyheshin kur pranonin ate që u falej me gjithë zemër nga brindizinët, nga barezët, nga leçezët, nga monopolitanët, nga ostunasit: ndiheshin si në shtëpi. Ishin bijtë plangprishës të historisë, të cilët trokitnin nëpër dyer që u hapeshin në çast. Ky realitet, ndoshta i pazakontë por thellësisht njerëzor, ishte një e papritur tronditëse për të gjithë. Shkruante ndër ato ditë Giuseppe Giacovazzo: “Nuk mund të fshihemi... uria e shqiptarëve e ka zanafillën larg ... ajo është bijë e një rrënimi ideologjik dhe politik .. uria e madhe që qëndron prapa është ajo për liritë politike të mohuara” (122).

Në të vërtetë dëshpërimi që shtyu 25.000 shqiptarë drejt brigjeve të Puljes qe pasojë e një kolapsi politik, ekonomik, moral, shpirtëror dhe  ideologjik, prandaj edhe çdo individ bartte, mbase edhe pa vetëdije, diçka nga periudha e diktaturës. Kishin jetuar të thuash se në një bosh vlerash. Mund t’i propozonin pak gjë një bote që nuk i njihte dhe që nuk e njihnin. Ishin më shumë të prirur të pranonin se të jepnin. A mund të fajsoheshin për këte? Dikush (në vendin e tyre) i kishte karakterizuar si fundërrina të shoqërisë. Në të vërtetë ishin ata që kishin konsideruar si një fundërrinë një rend shoqëror të padrejtë dhe hipokrit. Sepse “... sidomos të rinjve u rrinte shtrënguar një atdhe që e shumta u jep të gëzojnë - jo pa pretendime dhe kufizime të mëtejme – një palë pantallona dhe dy këpucë të vjetra jashtë mode, që duhen qepur kushedi sa herë, deri aty ku s’mbajnë më. Madje edhe mënyra e qethjes së flokëve nuk është aq shenjë ... pisllëku apo pastërtie, se sa një çeshtje legaliteti apo ilegaliteti”123 Kur padrejtësia dhe absurditeti bashkohen në trajtën e një ligji arbitrar, lind paradoksi i një shoqërie të gjymtuar, që nuk guxon të ankohet për të këqiat e saj. Sepse “në fakt nuk ekziston një shoqëri komuniste, por një dominim komunist mbi një shoqëri që mbijeton si mundet”(124).

Eksodi nuk ishte vetëm shpërthimi i një dëshire krejt të natyrshme të njeriut për të ushtruar plotësisht të drejtën e tij për të njohur dhe për t’u bindur në mënyrë që të mund të zgjedhë lirisht, gjë që i qe mohuar me egërsi, por edhe shprehja, ndonëse e pavetëdijshme, e përkatësisë së një populli një bashkësie më të gjerë, që nuk mund të brendashkruhet as brenda një grupi shtetesh dhe, aq më pak, brenda kufijve politikë të shtetit të vet. Koncepti i lirisë, i të drejtës për të jetuar dhe për t’u dhënë mundësi të tjerëve të jetojnë, ai që të mund të zgjedhë jetën e tij në mënyrë të qytetëruar, pamvarësisht nga normat ideologjike, por duke mbështetur gjithçka mbi norma etike, janë cilësi të vetë qenies njerëzore, qoftë të njeriut të zhvilluar, të vetëdijshëm dhe të kulturuar ashtu edhe të atij që, në shumicën e rasteve jo për faj të tij, ka mbetur në skajet e qytetërimit apo krejt jashtë tij.

Ndoshta pa e ditur, secili bartte në vetvete (gjë që pastaj do ta dëftente në vendin pritës) atë pasuri morale dhe kulturore që shoqëria, e inkuadruar brenda një shteti totalitar apo jo, kishte dashur dhe kishte lejuar që të siguronte individi. Ajo pasuri ishte pak gjë, sepse përmbante shumë shpresa, madje tepër dhe pak propozime. Shqiptarëve, që kishin dalë në botën e lirë, do t’u lëbyreshin sytë ashtu si atij që del nga një tunel i gjatë dhe i errët në dritë të fortë. Dikush prej tyre do të tronditej, sepse, pa pikë dyshimi, ekziston trauma që i shkaktohet kujt ka fituar lirinë, edhe pse, ashtu turbullazi, e ka menduar dhe dëshiruar për një kohë të gjatë. I thoshte Pierfranco Brunit një plak nga Tirana: “Nipërit e mi, do ta braktisin Shqipërinë sepse matanë detit janë ëndrrat që e mposhtin njëmenden” (125).

Ishte një profeci? Para së gjithash ishte një përfundim tragjikisht logjik, nxjerrë nga një realitet që në betejën midis të drejtës dhe arbitraritetit, kishte dalë i humbur. Dhe me çfarë çmimi! Pasojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjeve të gabuara të politikës së regjimit të Tiranës qe fakti se popullit iu mohua një pjesë e mirë e ndikimit të dobishëm të qytetërimit. “Mbyllja maksimale ndaj shoqërive të përparuara të Europës, për paradoks kishte dhënë një dorë për të përjetësuar shumë nga prapambetjet e të kaluarës”(126).

Me fjalë të tjera Sukseset e ngritura në qiell nga regjimi komunist ridimensionohen dhe gati sa s’bëhen një fajde me interesa që të zinin frymën. Në të kaluarën turq, grekë, serbë, duke menduar se një gjë e tillë u shërbente interesave të tyre, kishin dashur që vendi të përballej me dy probleme që mund të shndërroheshin në dy fatkeqësi të vërteta: ekzistenca e tri feve të ndryshme dhe ndarja e vendit në gegë e toskë.

Figurat e shquara të Rilindjes Shqiptare kishin bërë çmos që ta zbutnin konfliktin që mund të lindte nga këto ndryshime, të cilat përbëheshin edhe nga tradita, nga kultura dhe nga marrëdhënie shoqërore. Por kryesisht për mungesë kohe (në prag të luftës Shqipëria s’kishte veçse 30 vjet që kishte fituar pamvarësinë), këto probleme, që nuk ishin zgjidhur përfundimisht, ishin gjithmonë gati të ashpërsoheshin, nëse dikush do t’i vihej punës të ringjallte moskuptimet dhe ndarjet e përgjumura. Regjimi i Tiranës, duke drashtur se po të nxiteshin besimtarët e një feje kundër atyre të një tjetre, do të lindte (siç kishte ndodhur shpesh herë në të kaluarën) një reaksion të unitetit.

Referenca

121. Lucio RIZZICA, Uno sguardo dal ponte, në të përkohshmen “Katundi Ynë”. Kozencë, viti XXIII, numër 80, 1992/2, faqe 6

 122. Nga një artikull i botuar në “Gazzetta del Mezzogiorno”, 9 mars 1991  

123. Lucio RIZZICA, Uno sguardo dal ponte, në të përkohshmen “Katundi Ynë”. Kozencë, viti XXIII, numër 80, 1992/3, nr. 81, faqe 4

124. Alain BESANÇON, La confusione delle lingue, Milano 1981, faqe 55

 125. Pierfranco BRUNI, L’Albania è un’immagine stanca, në revistën “Katundi Ynë”, Kozencë 1992/1, numër 79, faqe 3

126. Gian Paolo TOZZOLI, Profilo di uno stalinista di ferro, në A.MESSINA, Albania, vep. cit. faqe 98

*Shkëputur nga “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, me autor Amik Kasoruho, botuar në 2012-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH