Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, për dosjen“Toyota Yaris” por edhe për lidhjet me elementë kriminale duke ndërhyrë në çështjet e tyre penale. SPAK kërkoi 4 vite burg, por duke llogaritur edhe gjykimin e shkurtuar, dënimi zbret përfundimisht në 3 vite heqje lirie.Gjykata caktoi seancën e radhës në datën 5 maj, kur do bëhet mbrojtja e të pandehurit dhe më pas shpallja e vendimit
Magjistrati i cili u arrestua në 29 korrik të një viti më parë, dyshohet se në bashkëpunim ka kryer korrupsion dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme, ku përfshihet edhe Dosja “Toyota Yaris”.
Sipas SPAK ai ka përdorur pushtetin për të ndërhyrë në disa hetime, duke hedhur hije dyshimi edhe mbi gjetjet e dala nga dosjet ku Zarka besohet se ka ndikuar vetë.
Këto dosje lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar dhe të kultivimit të narkotikëve.
Urdhërarreste u lëshuan edhe për ish- oficeren e policisë gjyqësore, Eriona Dauti dhe për avokatin Radovan Çela, si dhe për biznesmenin Astrit Vladi.
Dosja “Toyota Yaris” u denoncua në parlament nga ish- kreu i PD, Lulzim Basha, që paralajmëroi se në portin e Durrësit do të vinin dy automjete ku ndodheshin 3.4 milionë euro. Dy ditë më pas shuma e madhe u zbulua pikërisht në Port.