Emisari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, është takuar për herë të tretë këtë vit me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të çuar përpara një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë.
Takimi u zhvillua në bibliotekën presidenciale në Shën Petersburg dhe vjen mes shenjave të qarta të zhgënjimit të administratës Trump për mungesën e përparimit në bisedimet e paqes.
Vizita e Witkoff u parapri nga një takim me Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit për bashkëpunim ndërkombëtar.
Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, minimizoi rëndësinë e takimit, duke thënë se nuk pritet ndonjë përparim.
Megjithatë, korrespondentët ndërkombëtarë e shohin këtë si një sinjal të qartë se Trump dhe rrethi i tij diplomatik po shtojnë përpjekjet për të ndikuar në përfundimin e luftës.
Nga ana e tij, Putini ka shprehur gatishmëri për një armëpushim, por këmbëngul se duhet të përmbushen disa kushte themelore.
Ndërkohë sulmet në Ukrainë nuk janë ndalur. Dëme të mëdha janë shkaktuar në Kiev dhe zona të tjera , ndërsa kanë mbetur të plagosur 4 persona.