Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ngriti sërisht pretendime ndaj Rripit të Gazës.
“Ajo është një copë pasurie e paluajtshme tepër e rëndësishme,” tha ai gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas Trumpit do të ishte një “gjë e mirë” që atje të kishte një forcë paqeje, si Shtetet e Bashkuara, të cilat të kontrollojnë dhe posedojnë Rripin e Gazës.
Presidenti amerikan deklaroi tani se ai prej vitesh dëgjon vetëm për vrasje, për Hamasin dhe për probleme në zonë. Izraeli e “posedonte” dikur “këtë pronë buzë detit” dhe më pas hoqi dorë nga ajo në emër të paqes por sipas mendimit të tij kjo gjë ka dështuar.
“Unë nuk e kuptoj pse Izraeli hoqi dorë asokohe prej kësaj zone? Ajo i përket Izraelit. Vërtet nuk duhet të kishte hequr kurrë dorë prej Rripit të Gazës”, theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se gjatë takimit me presidentin Trump kishte folur për planin e tij për t’i zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës, ndërsa zona të rindërtohet.
Netanyahu e quajti këtë ide të Trumpit një vizion “të guximshëm”. Konferenca e planifikuar për shtyp mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë u anulua në mënyrë të papritur. Një punonjës i Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë njoftim pa dhënë asnjë arsye.