Vlerësimi i Fakultetit të Biznesit, Ekonomisë dhe Zhvillimit me Certifikatë Mirënjohjeje për vitin 2024 shkoi për drejtuesen e Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dr. Mimoza Kaçi. Para studentëve dhe kolegëve, znj. Kaçi foli për modelin e një gruaje në karrierë, të një nëne të përkushtuar dhe një liderje që frymëzon.
“Është vlerësimi më i madh që më bën institucioni ku kam investuar, që më ka mbështetur dhe në fakt ka qenë një gur kilometrik në rrugëtimin tim profesional.” Të tillë e cilësoi dr. Mimoza Kaçi nderimin me Certifikatë Mirënjohjeje nga Universiteti Europian i Tiranës. Me propozimin e Fakultetit të Biznesit, Ekonomisë dhe Zhvillimit, Kaçit iu akordua ky vlerësim për kontributin në zhvillimin e sektorit financiar në Shqipëri, për afrimin e legjislacionit dhe avancimit me standardet e BE si dhe mbështetjen për rritjen e edukimit financiar dhe aftësive profesionale.
Lidhjet me familjen UET, znj. Kaçi nuk i ka shkëputur asnjëherë. Pas mbylljes së studimeve në Vjenë dhe punës prej disa vitesh në sektorin publik, ajo vijoi karrierën si pedagoge në UET, pjesë e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Me marrjen e përgjegjësive të reja në 2014, si nëndrejtore Ekzekutive dhe Anëtare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, nuk iu largua edukimit të brezit të ri duke u angazhuar si pedagoge e jashtme. Prej një viti, Mimoza Kaçi drejton Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe njëkohësisht është udhëheqëse e negociatave të Kapitullit 9 për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa u shpreh i kënaqur për vlerësimin e një kolegeje të UET, që prej vitesh ka qenë dhe vazhdon të japë mësim si pedagoge e jashtme, duke vlerësuar edhe kontributin në sektorin publik.
“Jam i kënaqur gjithashtu që nderojmë një personalitet, që edhe pse në moshë të re mendoj se ka kontribute të spikatura, sepse për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore është titullare e AMF-së, të një prej agjencive më të rëndësishme në vend që bashkë me Bankën e Shqipërisë përbëjnë bordin e garantimit të stabilitetit të sistemit financiar”, u shpreh Xhepa.
Po ashtu, dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Ermela Kripa theksoi faktin se ky fakultet për të dytin vit ka nderuar gra edhe vajza që udhëheqin me vizion, përkushtim, duke ofruar modele frymëzuese për studentët.
“Kam një emocion të veçantë se jo vetëm i japim Certifikatë Mirënjohjeje një figure publike, në fakt po ndjekim edhe një traditë duke vlerësuar një figurë femërore, e cila ka sjellë një kontribut të çmuar në fushën e ekonomisë dhe financave.” Kripa tha më tej se kjo certifikatë jo vetëm nënvizon rëndësinë e punës së palodhur, por tregon se vlerat dhe përkushtimi janë çelësi i vërtetë për një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme.
Pas marrjes së vlerësimit, znj. Kaçi tregoi për studentët e ata që janë në nisje të karrierës, disa prej elementëve që e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj. Duke u ndalur te vlerat, parimet, Kaçi nënvizoi integritetin dhe sinqeritetin si çelës suksesi për të pasur një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi.
“Jam përpjekur të jem e vërtet në çdo bashkëpunim, në çdo iniciativë, në çdo projekt dhe në fakt mendoj se ka qenë një forcë e vërtet që më ka dhënë krah në këtë rrugëtim.”
Drejtuesja e AMF-së këshilloi studentët që të shfrytëzojnë fuqinë e iniciativës, të përqafojnë dhe përdorin mundësitë dhe inovacionin teknologjik për të bërë dallimin me të tjerët dhe për të prekur ëndrrat e tyre. “Përpiquni të jeni inovativë me ide dhe të gjeni frymëzimin për të ecur përpara.”
Një tjetër pikë thelbësore në lidership, znj. Kaçi nënvizoi bashkëpunimin dhe krijimin e frymës së grupit, duke ndarë me stafin vizionin e saj për institucionin dhe të ardhmen. Ajo gjeti rastin që të falënderonte gjithë kolegët dhe stafin e saj të AMF-së, për profesionalizmin e treguar dhe bashkëpunimin në arritjen e standardeve të kërkuara. Nga ana tjetër theksoi faktin se pak frymë femërore i duhet çdo lidershipi.
“Duke respektuar, duke i dëgjuar, duke pasur empati, duke i bërë që të ndjehen të vlerësuar. Është e rëndësishme që secili prej nesh të ndjehet mirë në vendin e punës, të ndjehet i vlerësuar. Nëse nuk ndajmë këto vlerë, këtë mënyrë drejtimi, nuk i bëjmë mirë as vetes dhe as të tjerëve.”
Kaci e quajti nder drejtimin për negociatat e Kapitullit 9, por edhe një nder për të kontribuar e çuar para Shqipërinë e për ta bërë pjesë të familjes.
Mjaft emocionues ishte momenti kur znj. Kaçi falënderoi familjen e saj për mbështetjen. Si nënë e dy fëmijëve, një djali 15-vjecar dhe një vajze 11-vjeçe, znj. Kaçi, tha se pa mbështetjen e familjes dhe bashkëshortit do ta kishte gati të pamundur të vijonte zhvillimin profesional dhe kontributin publik. “Kjo nuk do të thotë se nuk i jemi përkushtuar familjes, por kemi qenë në kufijtë e të pamundurës”, theksoi më tej.
Koleget e saj treguan vlerësimin në bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë në AMF. Pedagogia e UET, dr. Elona Shehu rrëfeu më tepër për njohjen me pedagogen Mimoza Kaçi që në 2013 kur u bë asistente lektore e lëndës së saj, ndërsa gjeti tek ajo mbështetjen e pa kursyer për të vijuar mësimdhënien dhe rrugëtimin akademik.
“Është një prej grave Grua model i kësaj shoqërie. Është nga ato gra që punojnë shumë dhe zhurmon pak. Është nga ato gra që prindëron fort por ankon pak. Është nga ato gra që e ke një telefonatë larg, sado e zënë të jetë, gjithmonë e kthen telefonatën mbrapsht.”
Shehu tha se sot ka shumë modele, por të paktë janë ato që cilësohen rol model për shoqërinë, për rininë e sotme. Duke ndalur te zhvillimi dhe investimi në karrierë, Shehu tha se sot është vështirë të bësh karrierë nëse je grua, por është shumë më e vështirë nëse nuk ke mbështetje.
Me një falënderim për ish-kolegen dhe miken e saj për faktin që pranoi vlerësimin dhe që mbetet një model për gratë e tjera, Shehu e mbylli fjalën me shprehjen e Coco Chanel: “Gratë kanë qenë gjithmonë krijesa më e fortë që njerëzimi ka njohur”.