Universitet

Komandanti Suprem i NATO-s nderohet nga UET me titullin “Doctor Honoris Causa”

Shkruar nga Liberale

Komandanti Suprem i NATO-s nderohet nga UET me titullin “Doctor Honoris

Në një ceremoni të veçantë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Ngarkurës me Punë të SHBA-së në Tiranë, ministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, figurave publike dhe ushtarake, UET nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa” komandantin Suprem të NATO-s, gjeneralin Christopher G. Cavoli për kontributin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pas nderimit ndër vite të personaliteteve shqiptare e botërore në fusha të ndryshme, si ajo e ekonomisë, filozofisë, drejtësisë, letërsisë, arsimit e sportit, Universiteti Europian i Tiranës e jep titullin e 18-të “Doctor Honoris Causa” për një personalitet të sigurisë dhe mbrojtjes, me një karrierë të spikatur ushtarake

Komandanti Suprem i NATO-s dhe i Forcave Amerikane në Europë gjenerali Christopher G. Cavoli u nderua nga UET për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Të pranishëm për këtë ngjarje të rrallë për vendin tonë, por edhe për auditorin shqiptar, ishin: kryeministri Edi Rama, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë Nancy VanHorn, ministrat e Shqipërisë Igli Hasani dhe Pirro Vengu, ministri kosovar i Mbrojtjes Ejup Maqedonaci; kreu i PD -Demokratët Euroatlantikë Lulzim Basha, ish-presidenti Bamir Topi, nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, gjeneralë, akademikë, etj.

Komandanti Suprem i NATO-s nderohet nga UET me titullin “Doctor Honoris

Ishin rekomandimet e akademikut prof. dr. Ferit Duka dhe pedagogut prof. dr. Kristaq Xharo që i shkuan Senatit Akademik të universitetit dhe më tej Ministrisë së Arsimit, për të nderuar komandantin Suprem të NATO-s me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik, përkushtimit ndaj bashkëpunimit transatlantik, inovacionit në strategjitë ushtarake dhe frymëzimit të gjeneratave të reja”.

Për profesor Xharron por edhe gjeneralin Cavoli ishte një ngjarje e një rëndësie të veçantë që tashmë takoheshin në një universitet shqiptar, shumë më ndyshe se 25 vjet më parë kur ishin shokë klase në Kansas, SHBA.

“Unë e pranoj këtë nderim në emër të burrave dhe grave të guximshme të Organizatës së Traktatit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ata mbajnë mbi supe flamurin e kombit të tyre, por e dinë se janë pjesë e diçkaje edhe më të madhe se kaq. Ata janë pjesë e aleancës më të suksesshme në historinë e botës sonë”, tha gjenerali në fjalën e tij.

I ardhur nga një familje ushtarake, gjenerali Christopher G. Cavoli ka mbi 37 vite karrierë ushtarake, duke mbajtur komanda udhëheqëse në misione luftarake dhe paqeruajtëse dhe ka punuar gjerësisht me komunitetet e inteligjencës dhe politikave. Ai ka shërbyer në një sërë pozicionesh në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, duke përfshirë si zëvendëskomandant i Komandës Rajonale Perëndimore në Herat, Afganistan.

Prej vitit 2022, pesë muaj pas nisjes së luftës së Rusisë mbi Ukrainë, gjenerali me katër yje mori detyrën Komandant Suprem i Aleatëve dhe mbikëqyr të gjitha operacionet ushtarake të NATO-s, planifikimin dhe angazhimin strategjik. Si udhëheqës i Komandës Evropiane të SHBA-së, Cavoli është përgjegjës për operacionet dhe aktivitetet ushtarake të SHBA brenda 50 shteteve të pavarura në Evropë dhe rajonin e Kaukazit, si dhe për mirëqenien e 103,000 anëtarëve të shërbimit amerikan dhe familjeve të tyre në atë rajon.

Komandanti Suprem i NATO-s nderohet nga UET me titullin “Doctor Honoris

Duke folur për sfidat e sigurisë botërore, Cavioli tha se edhe pse bota po ndryshon, Ballkani mbetet një rajon me rëndësi kritike për sigurinë ndërkombëtare. “Pjesa më e madhe e historisë së Evropës është formuar nga ngjarjet këtu”, tha ai, duke kërkuar forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit për të mbrojtur ato vlera nuk mund të dështojnë kurrë.

“Ndërsa NATO përballet me një botë në ndryshim, ne mbetemi të bashkuar në përshtatjen me realitetin e ri dhe gjithashtu duke u mbështetur në vlerat tona konstante dhe të qëndrueshme. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj sigurisë, prosperitetit këtu në të gjithë Evropën dhe në botë. Falenderoj Shqipërinë për angazhimin tuaj për këtë të ardhme të përbashkët.”

Kryeminsitri Edi Rama iu drejtua gjeneralit me fjalët se nuk mund të “ishit nderuar më mirë në këtë vend sesa nga ky universitet". Teksa vlerësoi formimin e gjeneralit duke shprehur besimin e plotë te lidershipi dhe këshillat e tij, kryeministri Rama tha se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojnë me NATO-n.

Komandanti Suprem i NATO-s nderohet nga UET me titullin “Doctor Honoris

“Është një kënaqësi e veçantë për ne dhe që t’iu japim këtë çmim sepse ju jeni komandant Suprem në periudhë shumë kritike për mbarë botën dhe të gjithë e dimë se ai në krye, lideri, është një gjeneral shumë i arsimuar, me një përvaojë të jashtëzakonshme dhe njohuri shumë të mira rreth Rusisë dhe kjo na jep besim të plotë në lidershipin dhe këshillën tuaj. Vendi ynë është gati për të lehtësuar ndërhyrjet e NATO-s në korridorin tetë, një rrugë strategjike, nga Adriatiku në Detin e Zi. Nuk janë thjesht fjalë, por bashkëpunim dhe bashkëpunimi shkon në të dyja kahet”, u shpreh Rama.

Prsidenti i UET, prof. asoc. Dr. Selami Xhepa tha se nderimi i gjeneralit Cavioli është një nder dhe privilegj i veçantë për universitetin, duke e vendosur figurën e tij përkrah emrave të tjerë mjaft të shquar që janë nderuar përgjatë viteve.

“Duke nderuar sot gjeneral Cavoli, ne nderojmë edhe kontributin dhe misionin e Organizatës së Atlantikut Verior, NATO, si organizata që mbetet garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë në gjithë botën e lirë. Anëtarësia në NATO e Shqipërisë mbetet padyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë moderne të shtetit tonë, që gëzon një mbështetje të plotë të të gjithë qytetarëve, po aq me rëndësi sa edhe anëtarësimi në BE që pritet të realizohet shpresojmë në një të ardhme të afërt”, u shpreh Xhepa.

Komandanti Suprem i NATO-s nderohet nga UET me titullin “Doctor Honoris

Ky është titulli i 18-të “Doctor Honoris Causa” që jep UET dhe i dyti brenda këtij viti. Në muajin maj nderoi znj. Deborah L. Wince-Smith, presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Konkurueshmërisë.

Gjatë dy dekadave UET ka nderuar personalitete shqiptare e botërore, si: nobelisti i ekonomisë Muhammad Yonus, Lordi Anthony Giddens, filozofi anglez Roger Scruton, diplomati Christofer Hill, filozofi francez Luc Ferry, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, ish-trajneri Gianni De Biasi etj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH