Universitet

FJALIMI i "Doctor Honoris Causa", Alfred MOISIU: Integriteti dhe përkushtimi janë themeli i dinjitetit të një kombi

Shkruar nga Liberale

FJALIMI i "Doctor Honoris Causa", Alfred MOISIU: Integriteti dhe

Fjala e plotë e ish-presidentit, Alfred Moisiu, gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.

Është moment i veçantë dhe i paharrueshëm për mua që ndodhem sot para jush, për të pranuar me mirënjohje titullin që më akordohet, “Doctor Honoris Causa”. Ky titull është një vlerë e çmuar, më nderoni mua personalisht, por edhe si përfaqësues i një brezi të kaluar përmes sfidash të mëdha që ka pasur vendi dhe ndryshimesh rrënjësore. Kam besuar gjithmonë në detin e dijes për ndërtimin e të ardhmes.

Për më shumë se një gjysmë shekulli, jeta ime ka qenë në shërbim të vendit, si ushtarak, si specialist i mbrojtjes, si përfaqësues i Shqipërisë në forume ndërkombëtare dhe më pas në detyrën e lartë të presidentit të Republikës, gjatë një periudhe kur vendi kishte nevojë të veçantë për qetësi, maturi dhe bashkim.

Në periudhën kur pata nderin të shërbej si president i Republikës, Shqipëria po kalonte një moment pasigurie politike dhe shoqërore. Zgjodha të mos jem palë, por urë bashkimi. Zgjodha të mos jem zë i lartë, por zë që dëgjon dhe dëgjohet. Të mos udhëheq me pushtet, por me parime dhe ligje. Besova dhe besoj se udhëheqja më e mirë është ajo që ndërton ura, jo mure; që shërben, jo që sundon.

Kam punuar me shumë kujdes, i rrezikuar për të humbur ekuilibrin. Të gjithë e dimë që këtu te ne nuk është aq e lehtë për të qenë mbi palët dhe për të sjellë një frymë stabiliteti në vendin tonë. Kam dëshiruar që kundërshtarët politikë të kishin pika të përbashkëta për problemet madhore të vendit.

Do të kujtoj me ju një moment të rëndësishëm, për të treguar se politika, pavarësisht përplasjeve, duhet të gjejë kohën për të thënë “po” bashkërisht. Ishte viti 1994. Unë në atë kohë punoja në Ministrinë e Mbrojtjes dhe isha kryetar i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut. Erdhi këtu zëvendës sekretari i NATO-s për të takuar gjithë palët politike, se çfarë mendimi kishin për integrimin e Shqipërisë në NATO.

Në atë kohë, z.Gramoz Ruçi ishte kryetar i Grupit Parlamentar dhe zv/sekretari u kënaq së tepërmi kur dëgjoi fjalët më pozitive, gjë që ishte e rrallë. Edhe sot e kësaj ditë, njëra palë thotë kështu, tjetra të kundërtën. Doja t’i bëja thirrje politikës shqiptare, që të jemi bashkë  për momentet madhore të vendit tonë.

Ishte një kohë jo e qetë, me klimë politike problematike. Besimi i popullit, i të rinjve dhe aplikimi i vlerave evropiane më dha forcë për të vazhduar me këmbëngulje detyrën e kryetarit të shtetit.

Ky titull që më jepet sot është për mua jo vetëm një reflektim i vlerësimit tuaj për këto përpjekje, por mbi të gjitha një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare, që përulësia, integriteti dhe përkushtimi nuk janë vlera të harruara. Ato mbeten themeli mbi të cilin ndërtohet dinjiteti i një kombi. Ato janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm.

Pas mbarimit të mandatit të Presidentit të Republikës kam shkruar tre vëllime me kujtime. Gjykova t’i lë këto kujtime, jo thjesht për të treguar si kam punuar, por për të dhënë mendimet e mia këshilluese për brezat pasardhës, si një pasuri dhe obligim për të rinjtë dhe qytetarët e vendit tim.

Të dashur pedagogë, studentë dhe pjesëmarrës,

sot më tepër se kurrë Shqipëria ka nevojë për mendje të ndritura, për punë dhe zemër të ndershme. Ju jeni forca që do të çoni këtë vend përpara. Prandaj, ju këshilloj që të mos ndaleni asnjëherë së dhëni dhe kërkuari dije, por mos lini kurrë pas dore komunikimin qytetar dhe impenjimin ndaj punës. Dija është dritë, por pa dëshirën ndaj punës ajo mbetet e verbër. Nuk ka gjë më të çmuar se t’i shërbesh vendit tënd me ndershmëri, përkushtim, integritet dhe dashuri.

Dua të kujtoj këtu një thënie të Balzakut të madh, që thoshte: “Në rast se harrojmë dhe lëmë pas dore punën e paraardhësve tanë atëherë ne do të jemi shkatërrimtarë të vendit tonë”.

Ky vlerësim që mu bë mua, si një qytetar i brezave të mëparshëm, tregon se puna e brezave duhet vlerësuar, duhet studiuar dhe duhet marrë nga ata se çfarë është më e mira.

Më lejoni të ndaj me ju disa parime të çmuara, të cilat kanë qenë udhërrëfyese në karrierën time në këto vite. Së pari, mendoj se për të pasur sukses në detyrë duhet të ketë përkushtim, pasion, ndershmëri dhe këmbëngulje.

E dyta, mbajtja e premtimeve të bëra ndaj popullit, është një vlerë shumë e çmuar për politikanët e këtij vendi. Populli e di se kush është ai, që atë të cilën e thotë, e bën vërtetë, dhe kush ai, që atë të cilën thotë, e kalon në vdekje.

E kam vlerësuar drejtësinë, ndershmërinë dhe korrektësinë, duke synuar të arrihet parimi që kur flet drejtësia politika duhet të heshtë. Kjo është shumë e rëndësishme. Kam ngulmuar të kuptohem se interesat e vendit duhet të jenë primare në kryerjen e detyrave të vendit, se politika është një mision. Është një mision që mund ta krahasojmë me punën e atyre priftërinjve të hershëm katolikë, që kanë depërtuar në Azi dhe Afrikë, për të çuar fjalën e Kishës.

Politika shqiptare, për të vlerësuar mikun, duhet të harmonizohet me respektin ndaj këshillave të ndërkombëtarëve, por vendimi duhet marrë me ndërgjegje dhe mbi bazën e ligjeve për fatet e popullit tonë. Kjo është shumë e rëndësishme.

Si përfundim, me shumë respekt, ju falënderoj dhe e pranoj këtë titull, si një obligim moral që edhe më tej, sa të jem, të vijoj të kontribuoj përmes fjalës, këshillës dhe përvojës. E pranoj gjithashtu si një shenjë të besimit tuaj dhe si një ftesë për të ndarë përvojën time, për të qenë bashkudhëtar në përpjekjet për ta bërë këtë vend sa më të bukur, më të begatë dhe më të admirueshëm.

Qoftë ky titull frymëzim për brezat që vijnë dhe një dëshmi i shërbimit me ndershmëri ndaj atdheut që nuk mund të harrohet!

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH