Universitet

Ish- studentët e UET i pasionon POLITIKA, 25 prej tyre kandidatë në 11 maj: pa dallim feje, krahine, ideje, gjinie apo partie

Shkruar nga Liberale

Ish- studentët e UET i pasionon POLITIKA, 25 prej tyre kandidatë

Kur Universiteti i Harvardit vendosi t’jepte Doktoraturë Nderi në Drejtësi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Andrew Jackson, në vitin 1833-in, ngjalli shumë diskutime. Vendimi u kundërshtua nga ish-studentë të këtij universiteti, por më i zemëruari prej tyre ishte kundërshtari politik i Jackson, ish-studenti i Harvardit, John Quincy Adams, i cili ishte rrëzuar nga presidenca në 1928-ën. Ai e cilësoi një turp nderimin e një “njeriu barbar”.

Në reagimin e saj, administrata e Harvardit vuri në dukje se diploma të tilla ishin dhënë edhe për presidentët e tjerë dhe nuk kishin pse përjashtonin Jackson, për shkak të përkatësisë së tij partiake. Ata theksuan se universiteti është asnjanës, apolitik, i hapur për ide dhe qëndrime që kontribuojnë për zhvillimin e shoqërisë.

Jo një histori aq të vjetër dhe të pasur sa Harvardi, por themele të qëndrueshme e parime të njëjta i gjejmë të asociuara mjaft mirë te Universiteti Europian i Tiranës. Në historinë e tij 20-vjeçare, ky institucion i arsimit të lartë jopublik në Shqipëri ia ka dalë të krijojë një traditë të bukur e të vyer akademike, shkencore, sociale e kulturore, duke qenë pioner në shumë fusha të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Ka shumë elementë që dëshmojnë për impaktin, novatorizmin, ngjizjen e iniciativave, çuarjen para të kauzave, të çfarëdolloj natyre, nën emëruesin e përbashkët të ndërtimit të një shoqërie më të mirë, më të përgatitur, më të zhvilluar, më perëndimore.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë tregues i kësaj fryme që ndërtohet në UET, pa u influencuar nga tërësia e bindjeve, platformave e përkatësive partiake. Nxitja e mendimit kritik dhe edukimi i qytetarëve të angazhuar mbetet thelbësore për misionin e një institucioni akademik, por mbi të gjitha për një institucion si Universiteti Europian i Tiranës, i krijuar që në gjenezë për të bërë diferencën, për të qenë pararojë dhe vlerë e shtuar e shoqërisë sonë.

Të paktën 25 ish-studentë të dalë nga aulat e këtij universiteti, ndër vite apo së fundi, janë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ata janë të përfshirë me pothuajse të gjitha entet politike, qofshin të majta, të djathta, të qendrës, konservatore apo liberale. Pavarësisht background-it të tyre akademik e politik, vijnë në këto zgjedhje të rëndësishme për shumë procese të nisura në Shqipëri, politike, ekonomike, të sigurisë si dhe të çuarjes përpara të procesit të negociatave, pse jo realizimit të integrimit të plotë në një datë sa më të afërt.

Dhjetë prej ish-studentëve të UET kandidojnë për Partinë Socialiste të Shqipërisë, si: Admir Kadeli, Andon Gjoni, Enslemvera Zake, Erion Malaj, Erjona Ismaili, Glixhent Madhi, Halit Valteri, Plarent Ndreca, Pranvera Skana dhe Vinjola Rrota.

Pesë të tjerë janë për Partinë Demokratike: Albi Jahelezi, Andrea Mano, Arnonld Karriqi, Greta Bardeli, Klodiana Çapja, Suzana Numani. Po ashtu, edhe për partinë Social Demokrate të Shqipërisë janë pesë kandidatë: Ajdi Lajthia, Dritan Idrizi, Gert Metani, Klementin Mile, Ted Mula.

Partitë më të vogla nuk mbeten mënjanë, qofshin ato të reja apo difersifikuara. Kështu, Koalicioni Euroatlantik ka një kandidate, Irsida Shehi; Nisma Shqipëria Bëhet ka po ashtu një kandidate, Mardalena Preçi dhe Partia Mundësia, që hyn për herë të parë në këto zgjedhje, ka dy kandidatë: Erald Kapri dhe Andi Abazi.

Në një vështrim më të thelluar, bie në sy se këta të rinj e të reja, të diplomuar në programe të ndryshme studimi, me profesione po ashtu të ndryshme, historianë, gazetarë, juristë, pedagogë, infermierë, sipërmarrës, kandidojnë në qytete të ndryshme, disa duke ndenjur ose rikthyer në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre për qytetin, zonën ku janë rritur, ku kanë krijuar familjen dhe rrisin fëmijët. E të tjerë janë kandidatë në kryeqytet, aty ku jetojnë e punojnë, por edhe ku lufta politike është më e fortë, fushata më kompetitive dhe përfshirja më e madhe.

Por pavarësisht kësaj, të gjithë janë në garë për ide, programe e platforma politike të larmishme, duke kërkuar që secili të sjellë frymën e vet për një të ardhme më të mirë, me më shumë prosperitet ekonomik e shoqëror. Sido që të jetë rezultati nga vullneti i votës së qytetarëve, më 11 maj, për dikë do të jetë një sukses e për të tjerë një eksperiencë e vyer, diversiteti i ideve, angazhimi qytetar, përpjekja për ndryshim, mbeten në fund vlera më e rëndësishme dhe shembulli më i mirë për atë se si duhet të ndërtohet dhe zhvillohet një shoqëri.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH