Për herë të parë universitetet shqiptare janë bërë pjesë e panairit më të madh të edukimit që zhvillohet në Dubai, Global Education & Training Exhibition (GETEX). Ky është eventi kryesor i rekrutimit të studentëve në rajon dhe një platformë efektive për të gjithë ofruesit e arsimit të lartë me pjesëmarrjen e dhjetëra shteteve nga e gjithë bota.
Përgjatë 3 ditëve, 30 prill- 2 maj, ekipi i Universiteti Euriopian të Tiranës, ai i Universitetit Metropolitan Tirana dhe përfaqësuesit e Shargan Consulting, agjenci për studentët e huaj që vijnë në vendin tonë, kanë prezantuar ofertën e tyre akademike, programet, partneritetet ndërkombëtare, diplomat e dyfishta, por edhe jetën sociale dhe atraksionet turistike që gjenden në një vend mesdhetar, në zhvillim e sipër si Shqipëria.
Sipas drejtuesit të Zyrës së Studentëve Ndërkombëtarë në UET, prof. asoc. dr Mateo Spaho interesi të lartë për të zbuluar Shqipërinë dhe universitetet shqiptare kanë treguar studentë nga vendet e Gjirit, vendet e Lindjes, Pakistani, Afganistani, por sidomos India. Po ashtu, edhe agjencitë për rekrutimin e studentëve kanë paraqitur interesin e tyre duke krijuar kontaktet me universitete shqiptare.
Spaho sqaron se në UET ka nisur procesi i tërheqjes së studentëve ndërkombëtare duke ofruar programet më të kërkuara në tregun e punës.
“Në vitin akademik 2025-2026 UET ofroi më shumë se 10 programe mësimore të cikleve bachelor dhe master në gjuhën angleze. Bëhet fjalë për programe të tilla, si: Financa, Menaxhimi, Inxhinieria Informatike, Teknologjia e Informacionit dhe Shkencat Politike. Së shpejti UET do të jetë i gatshëm të ofrojë programe në gjuhën angleze në Shkencat Mjekësore, në Inxhinieri dhe Arkitekturë për ta bërë sa më të kompletuar ofertën ndaj studentëve të huaj”. Ai shton më tej, se Shqipëria po shihet nga studentët si destinacion për të punuar e për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen.
Dekania e Studentëve në Universitetin Metropolitan Tirana, dr. Sonila Daiu, thotë se UMT doli me një përvojë mjaft pozitive nga ky panair, ndërsa përmes takimeve të drejtpërdrejta u identifikuan interesat e studentëve të huaj për të ardhur në Shqipëri.
“Interesi ka qenë i dukshëm për programet tona inovative të zhvilluara në gjuhën angleze, veçanërisht në fushat më të kërkuara të momentit si Inxhinieri Softuerike, Inteligjencë Artificiale dhe Informatikë Ekonomike. Një nga pikat më të forta të ofertës sonë akademike është fakti që UMT mbulon të tri ciklet e studimit në fushën e Inteligjencës Artificiale – nga bachelor, në master shkencor, deri tek doktoratura, duke u kthyer në një nga institucionet e pakta në rajon që ofron këtë vazhdimësi akademike. Programi i doktoratës në AI ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e vizitorëve, duke reflektuar interesin e madh që ekziston sot për kërkimin shkencor në këtë fushë”, thekson pedagogia Sonila Daiu.
Sipas saj, Shqipëria po perceptohet gjithnjë e më shumë si një vend mikpritës dhe atraktiv për studentët ndërkombëtarë, falë cilësisë akademike, kostove të përballueshme, si dhe mundësive të shumta të mobilitetit përmes bashkëpunimeve me mbi 60 universitete partnere në vende si Franca, Italia, Spanja, Suedia, Polonia dhe të tjera.
Për Shargan Consulting ky ishte viti i dytë që merrte pjesë në këtë panair. Por e veçanta e këtij viti ishte se u zyrtarizua lidhja mes kompanisë dhe GETEZ, e cila i dha të drejtën e përfaqësimit në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Drejtuesi i kësaj agjencie, Klodian Shaqiri thotë se gjatë tre ditëve, stendat janë vizituar nga nxënës së shkollave private dhe publike, sipas një programi te mirë përcaktuar prej organizatorëve, nën drejtimin e Ministrisë së Edukimit të Dubait, ndërsa ceremonia e hapjes së panairit u drejtua nga ministri Sheikh Nahyan bin Mubarak Al Nahyan.
“Stendat e përfaqësuesve shqiptarë patën një numër të konsiderueshëm të interesimit. Kishte prej tyre që e njihnin Shqipërinë si pozicion gjeografik dhe bukuritë natyrore. Te tjerët u njohën më shume nga ne dhe morën njohuri mbi arsimin gjithnjë në rritje te Shqipërisë me kurrikula ndërkombëtare dhe të niveleve europiane. Mund të them që përsa i përket përfaqësimit tonë si grup bëmë një punë shumë të mirë”, thotë Shaqiri.
Prezantimi i arsimit të lartë përmes panaireve vjen në vazhdën e synimeve që ka vendosur Liga e Universiteteve “Gjon Durrahium”, një organizatë e krijuar me shumicën e universiteteve jopublike në Shqipëri, për ndërkombëtarizimin e plotë dhe tërheqjen e studentëve të huaj në Shqipëri. Prej vitit 2002, kur u themelua Universiteti i Nju Jorkut, i pari institucion i arsimit të lartë jopublik, Shqipëria ka pasur një tjetër trajektore të zhvillimit të cilësisë, rritjes së standardeve dhe përafrimit me universitetet partnere europiane e më gjerë.
Shifrat tregojnë se sot universitetet jopublike kanë një impakt të rëndësishëm. Ata zënë 1/3 e tregu të arsimit të lartë, duke pasur 35 mijë studentë nga 80 mijë që ka sektori publik. Po ashtu, sektori jopublik ka shënuar rekorde të rëndësishme me akreditimin nga agjenci prestigjioze ndërkombëtare siç është ajo britanike, Quality Assurance Agency. Në disa prej këtyre universiteteve jopublike ofrohen diploma të dyfishta në bashkëpunim me universitetet më në zë në Europë.
Për t’i dhënë një impuls të ri përthithjes së studentëve të huaj, pasi Shqipëria mbetet e fundit në rajon me më pak se 2000 mijë studentë, Liga po përgatitet të marrë pjesë në panairin e Rio de Janeiro-s, atë të Berlinit në muajin në tetor, si dhe në panairin e Stambollit në fillim të 2026-ës.
OFERTA AKADEMIKE PËR STUDENTËT E HUAJ
Prej vitesh, por sidomos pas 2020-ës, universitetet private janë përgatitur për studentët e huaj. Më shumë se 100 programe studimi në anglisht, në të treja ciklit e studimit, ofrohen në sistemin e universiteteve jopublike, për të akomoduar një numër të madh studentësh ndërkombëtarë.
Universitete të tilla si Epoka, Canadian Institute of Technology (CIT), University of New York, Western Balkans University, janë të gjithë në anglisht prej fillimit të tyre.
Universitete të tjera kanë programe në anglisht dhe diploma të përbashkëta. Universiteti Europian i Tiranës ka më shumë se 10 diploma në anglisht ndër të cilat një diplomë e përbashkët Masteri në Shkenca Politike- Integrim dhe Qeverisje (PoSIG) dhe dy diploma të dyfishta: Master Shkencor në Administrim Biznesi nga Universiteti i Ludwigshafen, Gjermani, dhe Master në Teknologjinë e Informacionit nga Universiteti Mälardalen, Suedi
Universiteti Polis ka pesë diploma në anglisht, një Bachelor në Inxhinieri Softuerësh dhe dy Mastera Profesionalë në Arkitektura Digjitale dhe Politikat Territoriale dhe GIS. Po ashtu, ai ofron dy diploma të përbashkëta me Universitetin e Ferrares, Itali: Master Ekzekutiv në Restaurimin dhe Vlerësimin e Trashëgimisë Kulturore dhe Doktoraturë në Arkitekturë dhe Planifikim Urban.
Universiteti Luarasi, duke filluar nga ky vit, ofron tre programe të përbashkëta me London School of Economics (LSE): Financë, Biznes dhe Administrim; Shkencë të Dhënash dhe Analizë Biznesi.
Universiteti Metropolitan Tirana ofron gjithashtu disa programe në anglisht: Tre programe Bachelor( Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente; Inxhinieri Softuerësh; Informatikë Ekonomike); Tre Mastera Shkencorë (Inxhinieri Softuerësh; Analitikë Biznesi dhe Inteligjencë Artificiale; Inteligjencë Artificiale); Një Doktoraturë në Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente.
Tirana Business University ofron tre programe në anglisht, një Master Shkencor në Shkenca e të Dhënave dhe Siguria Kibernetike dhe dy Mastera Profesionalë: Menaxhimi i Turizmit dhe Mikpritjes; Marketing dhe Komunikimin Digjital.
Kolegji Universitar Qiriazi ka dy programe në anglisht: Bachelor në Menaxhim Biznesi dhe Master Shkencor në Administrim Biznesi.
Në hartën e programeve të studimit, Shqipëria vjen me një ofertë të kompletuar, për vitin akademik 2025-2026, pothuajse në të gjitha fushat kryesore me interes në tregun ndërkombëtar të punës.