Universiteti Europian i Tiranës mirëpriti një grup profesorësh, Alumni të Universitetit të Helsinkit, shkencëtarë të fushave të ndryshme, si: filozofi, gjuhësi, mjekësi, bujqësi, matematikë, juridik, shkenca politike e etj., mes të cilëve ishte edhe ish-ministrja e Drejtësisë së Finlandës, znj, Tuija Brax.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite në ambientet e UET ishte ngritja e urave të komunikimit mes institucioneve arsimore, ndarja e eksperiencave dhe diskutimi mbi çështje aktuale të politikës dhe ekonomisë, ndërsa Shqipëria po përparon me procesin e integrimit në BE.
Rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim të ri, me një universitet me traditë dhe me profesionistë të njohur. “Ne i kushtojmë rëndësi të veçanta bashkëpunimit ndërkombëtar. Ne besojmë se idetë, shkëmbimet, eksperiencat na ndihmon të rritemi dhe zhvillohemi”, theksoi Kruja.
Rektorja informoi më tej mbi rrugëtimin e UET, i cili edhe pse me një rrugëtim 20 vjeçar, ia ka dalë të shënojë disa rekorde të rëndësishme, siç ishte akreditimi nga një agjenci britanike si Quality Assurance Agency, ka ndërtuar partneritete me një numër të madh universitetesh dhe institucionesh, si dhe ka një fokus të shtuar të kërkimit shkencor përmes pesë revistave që botojnë fakultet përkatëse.
Përfaqësuesja e Universitetit të Helsinkit tha se ky institucion daton që në 1640-ën, atëherë si pjesë e Perandorisë Suedeze. Më pas u bë pjesë e asaj ruse, deri në 1917-ën kur Finlanda fitoi pavarësinë dhe u quajt Universiteti i Helsinkit. Ai është një universitet multidisiplinar, 31 mijë studentë, i cili është renditur mes 100 universiteteve më të mira në botë.
“Si një universitet i vjetër, ne i vlerësojmë studentët aktualë dhe ish-studentët dhe udhëtimi këtu është një shprehje e kësaj. Na pëlqen t'i mbështesim studentët në shumë mënyra. Dhe një mënyrë është ndërtimi i një rrjeti ndërkombëtar midis universiteteve me studentë, me ish-studentët, si dhe për të mësuar dhe përhapur njohuritë”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, ish-ministrja e Drejtësisë së Finlandës, znj, Tuija Brax tregoi se me Shqipërinë ka një njohje më të hershme për shkak të angazhimit të saj në fushën e politikës, forcimin e demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.
Si drejtore Ekzekutive e Qendrës së Sundimit të Ligjit në Universitetin e Helsinkit, znj. Brax ka vizituar Shqipërinë disa herë dhe është angazhuar në çështjen e zgjedhjeve dhe fushatës online. Në muajin maj, ajo ishte e pranishme kur partitë politike firmosën Kodin e sjelljes në fushatën digjitale. Gjatë fjalës në UET, ajo tha se janë përpjekur fort për ta shtyrë parlamentin shqiptar të ndryshojë ligjin për të përfshirë fushatat online dhe gjithçka që ndodh në internet.
“Dhe meqenëse kam këtë mundësi të takohem me studentë të rinj në Shqipëri, do të doja t'ju jepja këtë mundësi për t'ju nxitur që të kërkoni vërtet që partitë të përmbushin premtimet e tyre kur bëhet fjalë për fushatat online. Nuk duhet të ketë asnjë gjuhë urrejtjeje. Duhet të jetë e barabartë për gratë dhe burrat”, theksoi më tej ish-ministrja, duke inkurajuar akademikët, studentët, doktorantët të diskutojnë rreth çështjeve të tilla për të sjellë ndryshime në shoqërinë shqiptare.
Takimi vijoi me një leksion të hapur, të mbajtur nga zv/rektori për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, prof. dr. Kreshnik Bello dhe përgjegjësja e departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, dr. Anjeza Xhaferaj, nën praninë e pedagogëve dhe studentëve doktorantë të UET.