Një tragjedi ndodhi pranë brigjeve të Boulogne-sur-Mer në Francë, ku një varkë me emigrantë u mbyt gjatë përpjekjes për të kaluar Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar. Si pasojë, një person humbi jetën, ndërsa 61 të tjerë u shpëtuan.
Ngjarja ndodhi gjatë natës, dhe në operacionin e shpëtimit morën pjesë agjenci franceze dhe britanike. Anija franceze “Abeille Normandie” shpëtoi 50 persona, ndërsa të tjerët u ndihmuan nga ekipet britanike të shpëtimit dhe Forca Kufitare.
Mes të mbijetuarve ishin edhe një nënë me fëmijën e saj, të cilët u dërguan me helikopter në spital për ndihmë mjekësore.
Kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur po rritet ndjeshëm numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë Kanalin me varka të vogla dhe të pasigurta – vetëm deri në fund të prillit janë regjistruar mbi 10 mijë kalime.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer tha se qeveria është e vendosur të luftojë rrjetet kriminale që merren me kontrabandën e njerëzve dhe që i nxisin emigrantët të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme.