Një nga konfiskimet më të mëdha të drogës në dekadën e fundit është kryer nga Forcat Kufitare britanike, të cilat kanë sekuestruar 2.4 ton kokainë me një vlerë tregu prej rreth 96 milionë paundësh.
Ngarkesa u zbulua në fillim të këtij muaji në një anije kontejnerësh që kishte mbërritur nga Panamaja në portin London Gateway, në Essex. Oficerët e Forcave Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet e tjera ligjzbatuese, bënë një kontroll të thelluar duke zhvendosur plot 37 kontejnerë të mëdhenj për të gjetur drogën.
Ministria e Brendshme britanike konfirmoi se kjo ishte sasia e gjashtë më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në vend që prej fillimit të regjistrimeve zyrtare.
Drejtori detar i Forcës Kufitare, Charlie Eastaugh, e cilësoi këtë si një sukses të madh operativ. “Ky sekuestrim është dëshmi e përkushtimit të oficerëve tanë që punojnë çdo ditë për të mbrojtur sigurinë e vendit tonë. Kriminelët që mendojnë se mund të kalojnë drogë në brigjet britanike do të përballen me pasojat. Ne jemi gjithmonë një hap përpara.”
Forcat Kufitare bënë të ditur se operacioni u udhëhoq nga informacioni i siguruar nga inteligjenca dhe kishte për qëllim prishjen e rrjeteve të organizuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Po ashtu, u theksua se janë në zbatim edhe programe trajnimi në vendet e Amerikës Latine, me synim parandalimin e trafikut që nis nga atje drejt Europës.