Mëngjesin e sotëm, në Portin e Durrësit ka mbërritur super-jahti luksoz “Opera”, një nga jahtet më të mëdha në botë. Jahti është në pronësi të Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore.
I ndërtuar në vitin 2022 nga kompania e njohur gjermane Lürssen, “Opera” ka një gjatësi prej rreth 146 metrash dhe vlerësohet në mbi 450 milionë dollarë.
Ndalesa në Shqipëri është bërë për furnizim me karburant, një ndër arsyet kryesore që e bëjnë Portin e Durrësit një pikë tërheqëse për jahtet turistike në rajonin e Mesdheut.
Burime nga autoritetet portuale bëjnë me dije se “Opera” do të furnizohet me rreth 320 mijë litra naftë, me një çmim prej 1 euro për litër. Nga kjo shumë, 20 lekë për litër përfundojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit shqiptar.
Rritja e shërbimeve portuale dhe politikat fiskale të favorshme po e kthejnë Shqipërinë në një ndalesë strategjike për flotën e jahteteve luksoze që lundrojnë në Mesdhe.