Universitet

Në 9 maj, në ditën simbol të Europës dhe anti- fashizmit, UET i jep Honoris CAUSA ish-presidentit MOISIU

Shkruar nga Liberale

Në 9 maj, në ditën simbol të Europës dhe anti-

Titulli i nëntëmbëdhjetë “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Europian të Tiranës i akordohet presidentit të Shqipërisë në vitet 2002-2007, z. Alfred Moisiu. Ai bëhet kështu i pari president dhe i dyti politikan nga Shqipëria, pas Fatos Nanos, që vlerësohet me një ndër titujt më të lartë akademik që jep UET, për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e personaliteteve të fushave të ndryshme, shqiptare e të huaja.

Me rekomandim të pedagogëve dhe aprovim të Senatit Aademik të UET, Moisiu vlerësohet “për rolin e tij të pazëvendësueshëm si faktor uniteti kombëtar, për lidershipin e urtë e të paanshëm në kohë krizash, si dhe për vizionin në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e lidhjeve ndërkombëtare, përkushtimin ndaj paqes, stabilitetit dhe reformave që integruan Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.”

Ceremonia e akordimit do të zhvillohet ditën e premte, ora 09:00, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, me të ftuar përfaqësues të institucioneve, studentë e pedagogë, miq të universitetit.

Kjo ngjarje e rëndësishme për UET, që daton prej themelimit të tij, përkon po ashtu me një datë të rëndësishme për Europën dhe komunitetin e unionit, por edhe për vendin tonë, aspirant i anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian. Më 9 Maj, në atë që quhet Dita e Europës, festohet arritja e paqes dhe unitetit të kontinentit të sapodalë nga luftërat, mes dëmeve, shkatërrimve dhe mërive të mëdha.

Edhe pse Shqipëria ka pasur shumë politikanë e disa presidentë, shumë pak kanë arritur të zbatojnë me përpikmëri detyrën e tyre kushtetuese, të të qenit mbi palët e të përfaqësojnë unitetin kombëtar, siç bëri z. Moisiu.

Ai është presidenti i parë shqiptar që u sulmua me të njëjtën ashpërsi nga të dyja partitë politike, të majtët dhe të djathtët, nga Nano dhe Berisha, por me qetësinë, vendosmërinë, disiplinën e një ushtaraku, arriti t’i mbijetonte çdo përpjekjeje për ta bërë të anshëm, duke fituar respektin e gjithë shqiptarëve. Madje në disa raste ai do të shërbente si urë komunikimi mes poleve politike, për t’iu dhënë udhë shumë prej konflikteve dhe mospajtimeve të asaj kohe.

Edhe pse emri i tij fillimisht nuk u pa si pretendent, në fakt mbeti e vetmja figurë konsensuale në tryezën e propozimeve, për t’u votuar të hënën e 24 qershorit 2002 si presidenti i shtatë i Shqipërisë me 97 vota pro, 20 kundër, 13 abstenime, 4 vota të pavlefshme, në një parlament me të pranishëm 134 deputetë.

Rikthimi në detyra institucionale pas rënies së sistemit, e mbi të gjitha mbajtja e postit të kreut të shtetit, për Moisiun ishte një surprizë, pasi dukej se karriera e tij ishte mbyllur me dhënien e librezës së pensionistit në dhjetor të 1984-ës. Angazhimi i tij fillon herët, që në moshë të mitur, kur doli partizan dhe dha kontribut për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Veprimtaria e tij e vijoi në fushën ushtarake, përmes edukimit në Petërsburg dhe Moskë, për të mbajtur gjatë viteve disa detyra të rëndësishme në akademi dhe institucione shtetërore, duke kulmuar me atë të zëvendësministrit të Mbrojtjes, (1981-1982).

Karriera politike startoi me vendosjen e pluralizmit partiak, fillimisht si ministër i Mbrojtjes së Qeverisë Teknike (1991-1992); si këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes (1992-1994); zëvendësministër për Politikën e Mbrojtjes (1994-1997). Po ashtu, z.Moisiu ishte themelues dhe presidenti i parë i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut.

Për vlerat e tij, si ‘burrështetas vizionar’, ai është dekoruar me medalje dhe titujt më të lartë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga shtete dhe organizata të ndryshme, përfshirë SHBA, Itali, Gjermani, NATO, etj.

UET Hall of Fame apo siç njihet ndryshe ‘Panteoni i figurave më të shquara’, i përbërë nga një galeri personazhesh që kanë marrë ndër vite këtë titull akademik, nuk do të ishte i plotë pa portretin dhe emrin e ish-presidentit Alfred Moisiu. Tashmë ai do të jetë pranë gjeneralëve, filozofëve, politikanëve, sociologëve e shkrimtarëve të vlerësuar ndër vite nga universiteti.

PERSONALITETET E NDERUARA ME “DOCTOR HONORIS CAUSA” NGA UET

2011. Behgjet Pacolli- ish-President i Kosovës

2011Dritëro Agolli, shkrimtar i madh shqiptar

2012Muhammad Yunus, nobelist në Ekonomi

2012Fatos Nano- ish-kryeministër i Shqipërisë

2013Anthony Giddens- sociolog anglez

2013- Karim Khan- avokat, çështja çame /Strasburg

2015Gianni Buquicchio- kryetar i Komisionit të Venecias

2015Gianni De Biasi- trajneri i kombëtares shqiptare

2016Roger Scruton- filozof i famshëm anglez

2016Bernard Kouchner- administratori i Parë, Kosovë

2016Christopher R.Hill- diplomat amerikan

2018Hashim Thaçi- president i Kosovës

2018- Koen Lenaerts- president i Gjykatës Europiane të Drejtësisë

2019- Luc Ferry- filozof dhe politikan francez

2020- Petrit Ruka- poet, kineast shqiptar

2023- Xan Smiley- editori i “The Economist”

2024- Deborah L. Wince-Smith- presidente e Këshillit të Konkurrueshmërisë

2024- Christopher G. Cavoli- komandant i Përgjithshëm i NATO-s dhe Forcave të SHBA-së në Evropë

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH