Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të shtunën, për të 24-tën herë radhazi, që të konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga shoqëria civile në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar që Kosova të krijojë sa më shpejt institucionet e reja.
Për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët nuk votuan për formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.
Votimi i fshehtë është propozuar më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura nuk mori 61 votat e nevojshme që të zgjidhet në këtë post.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e deputetëve nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Ata argumentojnë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po teton që kryetari i ri i organit ligjvënës të zgjidhet me votim të fshehtë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të marrë një “masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Në vazhdimin e seancës konstituive më 31 maj, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozonin një emër për formimin e komisionit, duke bërë që seanca të ndërpritej. Seanca do të vazhdojë pas 48 orësh, përkatësisht të hënën.