Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në Prishtinë përfaqësuesit shqiptarë të Eurovisionit 2025, “Shkodra Elektronike”, në kuadër të hapjes së Festivalit FemArt13 “Çliroje mendjen”.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e përfaqësimit artistik në arenën ndërkombëtare dhe vlerësoi Beatriçen dhe Kolën – dyshen karizmatike të “Shkodrës Elektronike” për stilin e tyre të veçantë elektro-pop, që ka ndriçuar skenat evropiane dhe ka ngritur lart emrin e Shqipërisë.
“Sot mirëpritëm flakën e Eurovisionit në Prishtinë”, shkruan Kurti, duke kujtuar edhe njëherë performancën e suksesshme të këngës “Zjerm”, e cila i kualifikoi në finalen e madhe dhe e renditi Shqipërinë mes 10 më të votuarave të natës.
Kurti vlerësoi faktin që mediat ndërkombëtare, përfshirë The Guardian, e cilësuan performancën e tyre si një nga më uniket e edicionit.