Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 27-vjeçari Agon Zejnullahu. Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili tha se kërkesa për dorëheqje është pranuar menjëherë pas incidentit.
Ngjarja ndodhi më 7 korrik, kur i riu ishte ndaluar nga Policia. Pas ndalimit, ai ndërroi jetë në rrethana që ende nuk janë zbardhur plotësisht. Për këtë rast, pesë zyrtarë policorë janë vendosur në paraburgim për një muaj. Ata dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta nga udhëheqësit shtetërorë. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm në detyrë Xhelal Sveçla kanë kërkuar hetime të plota dhe transparente.
Familja e viktimës ka shprehur shqetësime për mungesë informacioni. Vëllai i Agonit tha për mediat se nuk kanë marrë ende të dhëna të qarta nga autoritetet, ndërsa ka pohuar se trupi i të ndjerit kishte “shenja dhe thyerje”.