Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me 20 vite burg për krime kundër njerëzimit Murat Dernjanin. Vendimi nga trupa gjykuese me kryetare Viloet Namani Hajra dhe anëtarë Rrahman Beqiri e Kushtrim Shyti, u dha më 4 korrik.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, Dernjani është identifikuar si përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës ndaj viktimave gjatë kohës që ka vepruar në Siri dhe Irak. Sipas gjykatës, janë vërtetuar se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe të drejtës ndërkombëtare.
Procesi në fjalë është zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun për shkak të ndjeshmërisë së lartë dhe mbrojtjes së të dëmtuarve. Gjykata Themelore e Prishtinës tha se vendimi i saj bazohet në provat e prezantuara, “ku është konstatuar se i akuzuari ka kryer krime që bien ndesh me normat e të drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Dernjani është dënuar edhe në janar të vitit 2019 me burg. Ai u shpall fajtor për vepra penale që lidhen me terrorizmin. Asokohe ai akuzohej se në vitin 2013 kishte udhëtuar bashkë me gruan dhe djalin e tij në Stamboll me qëllim që të bashkohej me ISIS-in.
Sipas aktakuzës ai ishte bashkuar me ISIS-in prej asaj kohe dhe kishte qëndruar atje deri në vitin 2017. Në këtë periudhë u tërhoq dhe u dorëzua tek autoritetet turke ku kërkoi edhe kthimin për në Kosovë.