Kosova

SHBA miraton vazhdimin e programit MCC për Kosovën/ Investim prej mbi 236 milionë dollarësh për energji të pastër

Shkruar nga Liberale.al

SHBA miraton vazhdimin e programit MCC për Kosovën/ Investim prej mbi

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ka miratuar vazhdimin e programit kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën. Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se është njoftuar zyrtarisht nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau. “Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara, më herët gjatë korrikut, Osmani kishte paraqitur kërkesën për vazhdimin e këtij programi përballë zyrtarëve amerikanë. Programi kompakt, i cili ka nisur zbatimin në prill të vitit 2024, ka për qëllim ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër. Vlera e përgjithshme e tij arrin në 236.7 milionë dollarë, nga të cilat 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Projekti kryesor i këtij programi është ndërtimi i baterive me kapacitet të lartë për ruajtjen e energjisë, që do të sigurojnë rezerva prej rreth 347 megavatësh në orë. Këto bateri do t’i japin Kosovës mundësi të ketë rezerva të qëndrueshme dhe të bëjë një hap të rëndësishëm drejt energjisë së ripërtërishme. Zyrtarët kanë deklaruar se deri në fund të vitit 2027, Kosova pritet të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.

Sipas MCC-së, programi do të shërbejë si bazë për tranzicionin e vendit drejt burimeve të energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik. Aktualisht, Kosova mbështetet kryesisht në prodhimin e energjisë përmes djegies së thëngjillit në termocentralet Kosova A dhe B.

Në Strategjinë për Energjinë të miratuar më 2023, Kosova ka synim që deri në vitin 2031, 35 për qind e energjisë të vijë nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa parashikohet që thëngjilli të largohet plotësisht nga përdorimi deri në vitin 2050.

MCC-ja ka bashkëpunuar me Kosovën që nga viti 2016 dhe përveç këtij programi, ka investuar edhe në projekte të tjera me vlerë 50 milionë dollarë për zhvillim ekonomik dhe bursa për gra në fushën e energjisë

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH