Agon Zejnullahu, i riu nga Kosova, vdiq në rrugë në Lipjan, i rrethuar me policë që i hodhën ujë në fytyrë, për ta ndihmuar të përmendej, pasi më herët të gjithë i ishin hedhur sipër.
Ngjarja raportohet se ndodhi në orët e para të 7 korrikut, ndërsa pesë oficerët u arrestuan gjatë orëve të mbrëmjes nën dyshimet për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërkaq, televizioni T7 ka publikuar videon ekskluzive dhe tronditëse që tregon momentet e fundit të jetës së të riut, duke treguar qartë mënyrën brutale se si atij ia vendosën gjunjët në qafë gjatë arrestimit.
Zyrtarët policorë, të cilët u prangosën në mbrëmje pas ngjarjes, sipas komunikatës zyrtare kishin ndërhyrë për ta neutralizuar Agon Zejnullahun, sepse ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit dhe se po sulmonte automjete dhe kalimtarë”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu.