Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiç dhe dhjetë personave të tjerë. Ata dyshohen për përfshirje në vendosjen e barrikadave në komunat veriore të Kosovës gjatë vitit 2022.
Sipas Prokurorisë, po hetohen gjithsej rreth 50 persona për vepra si “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave”, “thirrje për rezistencë” dhe “bashkim për veprime kundër kushtetutës”.
Ky hetim lidhet me ngjarjet e korrikut 2022, kur Qeveria e Kosovës vendosi që qytetarët me targa dhe dokumente serbe duhej të përdornin dokumente të përkohshme të Kosovës për të hyrë në vend. Si reagim, serbët në veri ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët dhe pikat kufitare.